Shkarko audiofailin


Shkencëtarët në SHBA, Kanada, Itali dhe Suedi po përpiqen të përcaktojnë shkakun e vdekjes masive të zogjve. Më tepër se gjithçka tjetër ata i alarmon fakti se si kushtet e motit, po ashtu dhe rrethanat e tjera të jetës së zogjve në vende të ndryshme janë krejtësisht diverse. Shprehen versione dhe mendime nga më të ndryshmet: shpendët i trembën bataretë e fishekzjarreve të festave të Vitit të Ri, ata kanë marrë doza vdekjeprurëse rrezatimi nga stacionet bazë të operatorëve të telefonisë celulare. Si dhe një tjetër shkak i këtij fenomeni të kobshëm përmendet ndikimi mbi zogjtë i valëve elektromagnetike që paraprijnë tërmetet. Në të gjitha versionet e shprehura përvijohet jo vetëm alarmi në lidhje me problemet ekologjike, por edhe frika për fatin e njerëzve. Ne iu lutëm që të hedhë dritë mbi këtë dramë natyrore Zëvendës Shefit të Shërbimit federal rus për Mbikëqyrjen e shfrytëzimit të Burimeve Natyrore "Rosprirodnadzor" Amirhan Amirhanov: “- Unë as që e çoj fare nëpër mend se neve po na afrohet njëfarë katastrofe globale bile dhe për vetë faktin se në vende të ndryshme faktorë krejtësisht diversë ndikojnë mbi zogjtë. Të themi, galat (stërqokat), sorrat, laraskat, harabelat, që dimërojnë në kontinentin europian, jetojnë në tufa, jetojnë pranë njerëzve dhe ka shumë mundësi që të jenë helmuar me mbetje substancash toksike të hedhura pa kujdes ose me ushqim jocilësor, me të cilin njerëzit i ushqejnë ata posaçërisht në periudhë dimri të ashpër. Mund të ketë ndikuar edhe anomalia e rrallë atmosferike, kur në shtresat e larta të atmosferës ishte ngrohtë, ndërsa në tokë bënte ngricë. Përveç kësaj, zogjtë janë shumë më të ndjeshëm se sa njeriu ndaj luhatjeve të presionit atmosferik”, - tha Amirhan Amirhanov. Në qoftë se shkak i vdekjes masive të zogjve u bënë sëmundjet infektive, atëhere, megjithëse me vështirësi, njeriu mund ta ndihmojë faunën e egër. Vetkuptohet se njerëzit duke parë masën e madhe të zogjve të ngordhur provojnë jo vetëm ndjenjën e dhembshurisë së madhe për to, por dhe shtrojnë pyetjen: mos është vallë ky fenomen lajmëtar i ndonjë katastrofe më të madhe edhe për njeriun? Sepse nuk mund të përjashtohet kurrsesi vdekja e tyre nga viruset e rrezikshme edhe për vetë njerëzit. Në Rusi tani për tani nuk është evidentuar vdekje masive shpendësh. Por kjo nuk na qetëson aspak ne. E keqe e madhe tek ne në vend edhe për njerëzit, edhe për kafshët e egra e zogjtë janë vendgrumbullimet e pasanksionuara të plehrave në hendeqe, buzë rrugëve automobilistike dhe në pyje, në afërsi të qyteteve, të cilat nuk arrijnë ti përpunojnë dot. Ne tani pa ndërmarrim masa kardinale për përmirësimin e kësaj gjendjeje. Sido që të jetë puna, anomalia aktuale natyrore me shpendët e egra e bën akoma dhe më aktual problemin e ekologjisë si në nivel kombëtar, ashtu dhe në përmasa globale, - theksoi në përfundim Zëvendës Shefi i Shërbimit federal për Mbikëqyrjen e shfrytëzimit të Burimeve Natyrore Amirhan Amirhanov.