Update 15.30  Katastrofa e avionit presidencial polak Tu-154 nën Smolensk mund të ishte parandaluar në qoftë se aeroplani do të kishte fluturuar për ulje në aerodromin e propozuar rezervë, deklaroi të mërkurën Kryetari i Komisionit teknik të Komitetit Ndërshtetëror të Aviacionit Aleksei Morozov. “Duke disponuar në kohë gjithë informacionin e nevojshëm mbi kushtet meteorologjike nga dispeçeria e Minskut (kryeqyteti i Bjellorusisë), nga dispeçerët e Smolenskut si dhe nga ekuipazhi polak i aeroplanit Jak-40, i vetmi vendim i mençur, i drejtë do të kishte qenë në këtë rast fluturimi i avionit drejt aerodromit rezervë, - tha Aleksei Morozov duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën e organizuar për shtyp.

Trajnimi i pamjaftueshëm i ekuipazhit u bë shkak i katastrofës së aeroplanit presidencial polak Tu-154

Update 15.16  Shkaqe sistemore të aksidentit ajror u bënë mangësitë e rëndësishme në organizimin e punës së fluturimit dhe trajnimit të anëtarëve të ekuipazhit, tha Tatiana Anodina. Kryetarja e Komitetit Ndërshtetëror të Aviacionit përmendi gjithashtu edhe shkaqet e tjera të lidhura me katastrofën: fillimi me vonesë i uljes, koordinimi i pakënaqshëm i bashkëveprimit të anëtarëve të ekuipazhit, përvoja e pamjaftueshme e komandantit në uljen e avionit në kushtet të këqia meteorologjike. “Sipas materialeve të Komisionit teknik të ekspertëve të pavarur, në rast të largimit të tij për në aerodromin rezervë komandanti mund të përballej me reagimin negativ ndaj kësaj të pasagjerit kryesor”, - vuri në dukje Kryetarja e Komitetit Ndërshtetëror të Aviacionit.

Ekuipazhi i aeroplanit polak Tu-154 komunikoi me dispeçerat rusisht, por ndoshta zotërimi i gjuhës prej tij ishte i pamjaftueshëm

Update 14.57  Sipas fjalëve të Kryetarit të Komisionit teknik të Komitetit Ndërshtetëror të Aviacionit Aleksei Morozov, Komisioni nuk disponon dokumente që të dëshmojnë nivelin e përgatitjes linguistike të pilotëve polakë. “Dialogu midis ekuipazhit të avionit dhe dispeçerave u zhvillua në gjuhën ruse. Komisionit nuk iu paraqitën ndofarë dokumentesh që të konfirmojnë njohjen prej anëtarëve të ekuipazhit të gjuhës ruse”, - tha Kryetari i Komisionit. Nivelin e përgjithshëm të njohjes së rusishtes nga ana e komandantit të ekuipazhit ai e vlerësoi si “të kënaqshëm”. “Ka shumë mundësi që anëtarët e tjerë të ekuipazhit të mos e zotëronin në shkallë të mjaftueshme gjuhën ruse”, - tha Kryetari i Komisionit teknik të Komitetit Ndërshtetëror të Aviacionit Aleksei Morozov.

Dispeçeri i lejoi aeroplanit Tu-154 orvatjen provë për realizimin e uljes vetëm deri në 100 metra

Update 14.30  Sipas fjalëve të Tatiana Anodinas, duke u udhëhequr nga kërkesat e rregullave të aeronavigacionit të Federatës Ruse, të cilat thonë: se komandantët e aeroplanëve të huaj e marrin në mënyrë të mëvetësishme vendimin mbi uljen e mundshme në aerodrom duke hedhur mbi vete gjithë përgjegjësinë për vendimin e marrë, dispeçeri ia lejoi një hyrje të tillë aeroplanit polak Tu-154, por me orvatje ujeje deri në 100 metra. Nga kjo lartësi ekuipazhit i duhej medoemos largohej për të ndërmarrë rrethin e dytë. “Ekuipazhi e konfirmoi këtë instruksion”, - tha Tatiana Anodina.

Nuk duhet të ketë persona të huaj në kabinën e ekuipazhit gjatë kohës së fluturimit të avionit

Update 14.01  “Janë përpunuar tashmë rekomandimet për rritjen e sigurisë së fluturimeve për shtetet, ndër të tjera edhe ato që kanë të bëjnë me arsyeshmërinë e aplikimit në nivel legjislacionesh kombëtare të ndalimit të hyrjes në kabinën e pilotit gjatë fluturimit të personave të huaj, që nuk hyjnë në përbërjen e ekuipazhit, dhe përgjegjësinë për shkeljen e këtij rregulli”, - tregoi Tatiana Anodina.

Aeroplani polak Tu-154 që u rrëzuan në Smolensk ishte i riparuar dhe nuk pati difekte gjatë fluturimit

Update 13.39  “Aeroplani përpara fluturimit të vet nga Varshava ishte plotësisht i ndrequr, nuk pati kurrfarë difektesh të motorëve apo sistemeve të tjera të drejtimit të fluturimit. Nuk pati as shpërthim, as zjarr dhe as shkatërrim të aeroplanit në ajër deri në kohën e përplasjes së tij me pengesat gjatë tentativës së ndërmarrë nga ekuipazhi për realizimin e uljes”, - tha Kryetarja e Komitetit Ndërshtetëror të Aviacionit Tatiana Anodina.

Ekspertëve polakë iu krijuan të gjitha kushtet e punës në Komitetin Ndërshtetëror të Aviacionit për hetimin e shkaqeve të katastrofës ajrore

Update 13.30  “Ekspertëve polakë iu dha menjëherë aksesi në vendin e katastrofës së avionit presidencial, atyre iu siguruan të gjitha kushtet nevojshme për punë të përhershme në Komitetin Ndërshtetëror të Aviacionit gjatë gjithë periudhës së zhvillimit të hetimit”, - tha Tatiana Anodina. Sipas fjalëve të saj, ekspertëve iu krijua mundësia për tu njohur me të gjtiha dokumentet e domosdoshme të kësaj çështjeje, përfshirë këtu edhe materialet me akses të limituar. "Gjatë procesit të hetimit dhe pas përfundimit të tij, gjë kjo që s'njeh shembuj të tjerë në praktikën botërore, palës polake nëpërmjet përfaqësuesit të saj fuqiplotë iu dorëzuan 60 vëllime dokumentacioni, 370 emërtime dhe më tepër se 20 mijë faqe", - tha Tatiana Anodina. 

Shkak i katastrofës së aeroplanit Tu-154 u bë vendimi për të mos u ulur në aerodromin rezervë

Update 13.20  Shkak i drejtpërdrejtë i katastrofës së aeroplanit Tu-154 të Presidentit polak Lech Kaczynski nën Smolensk në prill të vitit 2010 u bë vendimi i ekuipazhit për të mos u ulur në aerodromin rezervë, njoftoi Kryetarja e Komitetit Ndërshtetëror të Aviacionit Tatiana Anodina. “Gjatë kohës së fluturimit ekuipazhi i aeroplanit Tu-154 morri disa herë informacionin mbi kushtet e këqia meteorologjike në aerodromin ku ai duhej të kryente uljen, i cili u dha si minimum nga organet e drejtimit të trafikut ajror të Bjellorusisë, aerodromit “Смоленск Северный” (“Smolensku Verior”) si dhe nga ekuipazhi i aeroplanit polak Jak-40, i cili realizoi më parë uljen e vet në aerodromin “Смоленск” (“Smolensk”), - tha Tatiana Anodina. “Pavarësisht nga të gjitha këto ekuipazhi i aeroplanit presidencial Tu-154 nuk morri vendimin për tu ulur në aerodromin rezervë që iu propozua. Ky fakt dhe mund të quhet si fillim i lindjes së situatës emergjente gjatë fluturimit”, - deklaroi Kryetarja e Komitetit Ndërshtetëror të Aviacionit.

Kryetarja e Komitetit Ndërshtetëror të Aviacionit tregon për shkaqet e katastrofës

Update 12.50  Me deshifrimin e komunikimit midis pilotëve të aeroplanit polak Tu-154M janë marrë ekspertët polakë të cilët i njihnin personalisht ata, deklaroi Kryetarja e Komitetit Ndërshtetëror të Aviacionit Tatiana Anodina në konferencën për shtyp, e cila u organizua me qëllim të bërjes publike të raportit përfundimtar mbi shkaqet e katastrofës ajrore. Hetimi i katastrofës ajrore u zhvillua nga Komisioni teknik i Komitetit Ndërshtetëror të Aviacionit. “Hapja dhe deshifrimi i regjistruesve të zërit (kutive të zeza) u zhvillua në prani të Prokurorit ushtarak polak. Puna tejet skrupuloze e Komisionit teknik për identifikimin e zërave u realizua pikërisht prej specialistëve polakë, që i njihnin personalisht anëtarët e ekuipazhit të avionit presidencial”, - tha Tatiana Anodina. Ajo vuri në dukje se “ekspertët ndodheshin në një gjendje shumë të vështirë moralo-psikologjike kur dëgjonin zërat e shokëve të tyre të vdekur”.

Përfundimet e hetimit të katastrofës ajrore nën Smolensk

Update 11.12  Komiteti Ndërshtetëror i Aviacionit do të shpallë sot përfundimet e hetimit të katastrofës ajrore nën Smolensk të avionit Tu-154M, në bordin e të cilit ndodhej delegacioni polak me në krye Presidentin e Republikës Lech Kaczynski. Në hetim morrën pjesë specialistët e Rusisë, Polonisë dhe SHBA-s, si dhe ekspertët e aviacionit të Federatës Ruse dhe shteteve të tjera. Sipas përfundimeve paraprake të punës së Komisionit teknik të Komitetit Ndërshtetëror të Aviacionit të publikuara në maj rezultoi se ky nuk ishte sulm terrorist, as shpërthim, as zjarr në bord, as difekt teknik gjatë fluturimit.