Vdekja masive e zogjve në vende të ndryshme të botës shkaktoi panik të vërtetë midis banorëve të planetit në ditët e para të vitit 2011. Shkencëtarët po përpiqen të gjejnë shpjegimin e këtij fenomeni zindjellës. Këmbanat e para të alarmit ranë në Arkanzas të SHBA. Kur u zgjuan pas natës së Vitit të Ri banorët e qytetit amerikan Beebe u tmerruan: rrugët, parqet, makinat ishin praktikisht të mbuluara me trupa të pajetë mëllenjash. Sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo ato vazhdonin të binin të vdekura mbi kokat e kalimtarëve të tronditur, të shokuar. Pasi i bënë analizat një sërë zogjve të ngordhur, ornitologët nuk zbuluan kurrfarë lëndësh toksike në organizmin e tyre. Atëhere lindi versioni, se mëllenjat u bënë viktima të fishekzjarreve të hedhura me breshëri gjatë natës së Vitit të Ri: ndoshta ato iu trembën zhurmës, humbën orientimin dhe nisën të përplasen në gjithçka që ndeshnin gjatë fluturimit kaotik. Duke gjykuar nga kuadrot dhe fotografitë, që u dukën pas këtij fenomeni të çuditshëm, një shkak i tillë duket pak i besueshëm. Një histori e ngjashme ndodhi shumë shpejt pas kësaj në Suedi: në qytezën Falköping dy të rinj gjatë kohës së shëtitjes panë njolla të çuditshme të zeza në dëborë. Kur u afruan më pranë ata kuptuan se rruga ishte mbuluar me mëllenja të ngordhura. Vetëm se në këtë rast askush nuk kishte hedhur fishekzjarre aty rrotull. Dy ditë më pas 80 trupa të pajetë zogjsh u zbuluan në provincën kanadeze Quebec. Ndërsa mbas kësaj ngjarje këmbanave të alarmit u ra Italia: në Faenza në fluturim e sipër binin pingul të vdekur në tokë pëllumbat e egër. Ornitologët italianë presupozuan se pëllumbat, me sa duket, e tepruan me të ngrënit e mbetjeve të farave të lulediellit pas përpunimit të tyre në fabrikën e vendase të vajit dhe gjetën vdekjen nga mosbluarja e stomakut (dispepsia). U shpreh gjithashtu një ide e tiilë që ka të bëjë me helmimin e zogjve me kimikate. Nuk duhet përjashtuar në kurrfarë mënyre në këtë rast edhe pjesa përbërëse ekologjike, mendon Presidenti i Bashkimit të mbrojtjes së zogjve të Rusisë Viktor Zubakin: “- Zogjtë janë tej mase të ndjeshëm. Në krahasim me njerëzit ata kanë një metabolizëm shumë më të shpejtë dhe janë më të ndjeshëm ndaj përmbajtjes në atmosferë të lëndëve të ndryshme, për shembull, oksidit të karbonit. Në veçanti, tek zogjtë ndikuan shumë keq zjarret pyjore dhe tymi i shkaktuar prej tyre në gjithë Moskën dhe zonën periferike të saj. Megjithëse, duke iu rikthyer gjithë rasteve të sipërpërmendura, një vdekje të tillë masive zogjsh si kjo e tanishmja tek ne në Moskë në periudhën e zjarreve dhe tymit mbytës të periudhës korrik-gusht nuk ka patur. Nga kjo rezulton, se megjithë natyrën e vet të prekshme, të lëndueshme, si rregull, shpendët arrijnë të mbijetojnë megjithatë në kataklizma të tilla”, - tha  Viktor Zubakin. Kurrfarë teorie bindëse në lidhje me vdekjen masive të zogjve shkencëtarët nuk kanë mundur të parashtrojnë deri tani. Pavarësisht nga fakti, se në skaje të ndryshme kanë gjetur vdekjen mijëra shpendë, shkencëtarët nuk janë të prirur ta quajnë këtë ngjarje sistemore. Megjithëse nuk përjashtojnë edhe mundësinë e ndonjë epidemie, të ngjashme me gripin e shpezëve. Por sido që të jetë puna në të vërtetë, fakti mbetet fakt - “misteri i mëllenjave të zeza” nuk është zbuluar deri tani.