Parlamentarët rusë po fillojnë sezonin e ri politik me shqyrtimin e disa projekt ligjeve tejet të rëndësishme. Prioritar midis tyre është, sigurisht, Traktati mbi reduktimin e Armatimeve Strategjike Ofensive (ASO). Deputetët kanë ndërmend të përfundojnë deri më 31 janar procedurën e ratifikimit të tij. Punës për sanksionimin e Traktatit mbi ASO, i cili u nënshkrua në pranverë të vitit 2010 në Pragë nga presidentët e Rusisë dhe SHBA, përkatësisht Dimitri Medvediev dhe Barack Obama, ligjvënësit ia hynë pas miratimit të këtij dokumenti nga Kongresi amerikan. Në lexim të parë ai u miratua në Dumën Shtetërore të Rusisë më 24 dhjetor të vitit 2010. Leximi i dytë dhe i tretë i tij u lanë për në janar të këtij viti. Megjithëse komitetet profilore rekomanduan për të votuar në favor të Traktatit që në vjeshtë, parlamenti rus preferoi të mos nxitohet. Sepse u zhvillua me shumë vështirësi shqyrtimi i Traktatit prej ligjvënësve amerikanë. Por edhe vetë ratifikimi i këtij dokumenti u shoqërua me miratimin prej Kongresit të SHBA të një sërë amendamenteve, të cilat megjithëse nuk ndryshojnë thelbin e vetë dokumentit, lejojnë megjithatë interpretimin e dispozitave të tij në mënyrë të njëanshme. Në veçanti, kjo ka të bëjë me të drejtën e deklaruar në Traktat të Moskës për të dalë prej tij në qoftë se SHBA do të fillojnë dislokimin e mjeteve të mbrojtjes amtiraket në Europë, të cilat kërcënojnë sigurinë e Rusisë. Në ligjin mbi ratifikimin do të hyjnë 6 pika suplementare të lidhura me amendamentet e Kongresit të SHBA. Më hollësisht për këtë procedurë i njoftoi Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” Kryetari i Komitetit të Dumës Shtetërore të Rusisë për sigurinë Genadi Gudkov: “- Vendimi për miratimin e këtij dokumenti në lexim të parë dhe shqyrtimi i detajuar i amendamenteve amerikane u morr në vigjilje të vitit të ri. Është tejet e rëndësishme të analizohet se në ç’masë ndryshojnë ato thelbin e vetë dokumentit, prekin interesat tona kombëtare, interesat e sigurisë së Rusisë. Prandaj, pasi mbështeti konceptin e vetë Traktatit në fjalë, parlamenti rus i rezervoi vetes të drejtën e bërjes së korrigjimeve të domosdoshme në të në nivelin e të ashtuquajturave amendamente amerikane”, - tha Genadi Gudkov. Ekspertët mendojnë se procedura e ratifikimit të Traktatit mbi reduktimin e Armatimeve Strategjike Ofensive do të përfundojë deri në fund të muajit janar. Pas kësaj ai do të hyjë në fuqi dhe do të bëhet dokument themeltar, bazë në marrëdhëniet e Rusisë dhe SHBA për gjithë dekadën pasuese.