Kërkimi i shkakut të vërtetë të katastrofës së avionit qeveritar polak Tu-154 në prill të vitit 2010 nën Smolensk do të vazhdojë për aq kohë sa të zbardhet krejtësisht ai. Hetimi i shkakut të rënies së avionit duhet të zhvillohet pa emocione të tepruara dhe ushtrim presioni nga ana e politikanëve. Të një mendimi të tillë janë ekspertët e palës polake dhe asaj ruse. Komiteti Ndërqeveritar rus i Aviacionit i dorëzoi në tetor palës polake projektin e vet të raportit mbi hetimin e kësaj tragjedie. Më 10 prill aeroplani, në bordin e të cilit ndodhej Presidenti i Polonisë Lech Kazcynski dhe shumë zyrtarë të lartë polakë, pësoi katastrofë gjatë tentativës së ndërmarrë për realizimin e uljes në aerodromin e Smolenskut. Kur ekuipazhi i avionit i kërkoi dispeçerisë ruse informacionin në lidhje me situatën, mori si përgjigje prej saj rekomandimin për të mos u ulur në Smolensk për shkak të kushteve të këqia të motit, por në aerodromin rezervë. Propozimit të dispeçerëve rusë iu vu veshi, por ai nuk u morr parasysh nga ekuipazhi, gjë kjo që çoi në përfundim tragjik. Këtë fakt nuk e vë në dyshim, nuk e mohon kurrsesi as pala ruse, as ajo polake. Gjatë kohës së zhvillimit të hetimit u bë e qartë, se mbi ekuipazhin e aeroplanit presidencial u ushtrua presion nga ana e pasagjerëve - zyrtarë të lartë polakë. Por pikërisht interpretimi i të gjitha episodeve që kanë të bëjnë me marrjen e vendimit nga ana e kapitenit të avionit dhe shkaktoi shpërthim emocionesh në gjirin e shoqërisë polake. Mbi cilët bie faji më i madh - mbi dispeçerët rusë apo mbi pilotët polakë? Përse shërbimet tokësore nuk e ndaluan në mënyrë kategorike uljen e aeroplanit? Ja, pyetje të tilla bëjnë polakët. Dhe, duhet thënë, se në shumë gjëra këto emocione i ndezin më fort edhe disa politikanë të veçantë dhe mjete të informimit masiv. Mendimin e vet në lidhje me këtë katastrofë e shprehu për Radiokompaninë “Zëri i Rusisë” eksperti i paravur, Sekretari i Komitetit të Aviacionit të Polonisë Tomasz Hypki: “- Kryesorja tani është që të mos politizohet ky proces dhe të punohet bashkarisht për zgjidhjen e problemeve që lindin. Unë nuk kam kurrfarë arsyesh të vë në dyshim si synimet e mira të palës rusë, në tërësi, po ashtu dhe kompetencën e përgjegjësinë e njerëzve që merren me hetimin e katastrofës. Ç’është për të ardhur keq, në Poloni dëgjohen shumë gënjeshtra në lidhje me këtë fluturim tragjik. Dhe unë i druhem shumë asaj, se gënjeshtra e dezinformimi do të vazhdojnë për një kohë të gjatë, meqenëse ka njerëz të gatshëm për ta shfrytëzuar paturpësisht tragjedinë në lojrat e veta politike. Dhe është vërtet e vështirë të bëhet ndonjë gjë në këtë rast, meqenëse përveç fakteve ekzistojnë edhe emocionet njerëzore, të cilat dikush arrin ti manipulojë aktualisht me mjaft zotësi”, - tha Tomasz Hypki. Rusia ka ndërmend ta çojë deri në fund punën me hetimin e shkaqeve të katastrofës së avionit presidencial polak. Për këtë deklaroi para pak kohësh Presidenti Dimitri Medvediev. Ai bëri thirrje për ta zhvilluar këtë proces pa politizim dhe akuza të ndërsjellta. U duhet vënë veshi të gjitha pikëpamjeve dhe të pranohen konkluzionet që do të nxirren nga instancat e specializuara ndërkombëtare dhe hetimi i brendshëm. Ajo që ndodhi nën Smolensk është tragjedi reale, por kjo nuk duhet të ndikojë në marrëdhëniet midis dy vendeve tona, mendon Presidenti rus.