“Më pozitiv” në krahasim me vitin paraardhës u bë për qytetarët rusë 2010, ndërsa Vitin e Ri ata e pritën duke ushqyer shpresën për përmirësimin e gjendjes së tyre materiale. Në një konkluzion të tillë arriti Qendra Kombëtare Ruse e Studimit të Opinionit Publik (ВЦИОМ-BCIOM), pas zhvillimit të sondazhit në muajin dhjetor midis 1600 respondentëve nga gati 150 pika të ndryshme banimi të vendit. Sipas të dhënave të kësaj Qendre, ngjarje shokuese e vitit 2010 për shumicën e banorëve rusë u bë vera anomalisht e nxehtë dhe zjarret pyjore që përfshinë pjesën europiane të Rusisë. Dhe kjo nuk të habit aspak, sepse pothuajse 3 muaj me radhë mbajti një vapë e paparë 40 gradëshe. Por kataklizmat natyrore nuk mundën të lëkundin megjithatë optimizmin e shumicës së të anketuarëve, vë në dukje Drejtoresha e Departamentit të komunikacionit të Qendrës Kombëtare Ruse të Studimit të Opinionit Publik (ВЦИОМ-BCIOM) Olga Kamençuk: “- 2010 u bë për Rusinë vit i daljes nga kriza, njerëzit gradualisht filluan të qetësohen e të rivendosin harmoninë shpirtërore, ekzistenca e tyre e bë më e matur, më e parashikueshme. Sigurisht, tani është ende shpejt të flitet mbi gjithfarë perceptimesh e prirjesh optimiste në gjirin e shoqërisë. Në qoftë se do të bëjmë krahasimin me periudhën e parakrizës, duhet thënë, se kemi se drejt ç’piksynimi të avancojmë. Por në tërësi tablloja po fillon të nivelohet gradualisht” - tha Olga Kamençuk. Ndër ngjarjet më të rëndësishme të vitit që lamë pas mund të përmendim emërimin në postin e Kryebashkiakut të Moskës Sergei Sobianin. Kujtojnë qytetarët rusë edhe fitoren nga Rusia të së drejtës për të zhvilluar në vend Kampionatin Botëror të Futbollit të vitit 2018 si dhe trazirat e paradokohshme në Sheshin Manege të kryeqytetit rus. Sado e çuditshme që të duket kjo në vështrim të parë, duhet evidentuar megjithatë se pak kush nga respondentët përmend ndër ngjarjet që bënë bujë në vitin 2010 aktet terroriste të 29 marsit në metronë e Moskës, kur si rezultat i shpërthimeve të organizuara nga kamikazet në dy stacione të saj gjetën vdekjen më tepër se 30 veta. Në këtë rast vepron faktori psikologjik, shprehet me bindje të plotë Drejtori i Qendrës Kombëtare Ruse të Studimit të Opinionit Publik (ВЦИОМ-BCIOM) Valeri Fjodorov: “- Këtu ne kemi të bëjmë me një lloj efekti të vetëdijes masive, me efektin e fshirjes nga kujtesa, kur njeriu përpiqet të harrojë, të mos mendojë për rrezikun të cilin ai, për fat të keq, nuk mund ta neutralizojë, nuk mund ti bëjë ballë kurrsesi me mjetet disponuese vetiake. Prandaj ai thjesht përpiqet ta fshijë nga kujtesa atë”, - thotë Valeri Fjodorov. “Politikan i vitit”, mbi bazë të rezultateve të anketimit të zhvilluar, u bë për të tretin vit me radhë Kryeministri Vladimir Putin. E rriti në mënyrë të qenësishme rejtingu e vet gjatë vitit 2010 edhe Presidenti Dimitri Medvediev. Ndërsa humbje e madhe e vitit për shumicën e qytetarëve të vendit u bë vdekja e Viktor Çernomirdinit, i cili u nda nga jeta në muajin nëntor. Qytetarët rusë e vlerësojnë atë si një nga veprimtarët shtetërorë më mbresëlënës, më të spikatur të këtyre 20 viteve të fundit. Në qoftë se do ti besohet të dhënave të Qendrës Kombëtare Ruse të Studimit të Opinionit Publik (ВЦИОМ-BCIOM), në vigjilje të Vitit të Ri rusët demonstruan gjendje shpirtërore mjaft pozitive, optimste: 62% e respondentëve shpresojnë se viti 2011 do të jetë i mbarë e i begatë për familjet e tyre, ndërsa çdo i dytë është mëse i bindur se ai do të jetë i sukseshëm edhe për vetë Rusinë në tërësi.