Në Afganistan viti që kaloi ishte në përgjithësi vendimtar për forcat ndërkombëtare. Pas zhvillimit të një sërë operacionesh serioze trupat e koalicionit po përgatisin valixhet për tu larguar. Në korrik të vitit 2011 është planifikuar të fillojë largimi i forcave të armatosura, të cilat po veprojnë në vend nën drejtimin e NATO-s. Sigurisht, ky proces do të zgjasë me vite. Por, siç parashikohet, deri në vitin 2014 autoritetet e Afganistanit do të jenë në gjendje ta kontrollojnë vetë situatën në vend, me qëllim që ndihma e jashtme të reduktohet deri në minimum. Ndërkohë për fitoren përfundimtare mbi islamikët as që nuk bëhet fare fjalë. Por edhe probleme të tjera të brendshme janë ende larg zgjidhjes. Karzai ka një ushtri të paaftë, polici të dobët, dhe kryesorja korrupsion të madh në radhët e nëpunësve shtetërorë. Edhe provinca të tjera të vendit preferojnë të demonstrojnë pavarësinë e vet nga Kabuli. Në vitin 2010 komuniteti ndërkombëtar ndërmorri jo pak përpjekje për normalizimin e situatës në Afganistan. U zhvilluan dy konferenca ndërkombëtare. Në to u diskutuan problemet e rimëkëmbjes së ekonomisë së vendit, por më kryesorja - demokratizimi i tij. Është reduktuar borxhi i jashtëm i Afganistanit. Rusia, për shembull, deklaroi mbi faljen e një shumt prej më tepër se 12 miliardë dollarësh, që Afganistani ia ka borxh asaj që nga kohërat e ekzistencës së Bashkimit Sovjetik. Mbi kontributin rus në zgjidhjen e problemeve afgane për radiokompaninë “Zëri i Rusisë” tregoi orientalisti Igor Sotnikov: “Rusia përpiqet të veprojë aktivisht në Afganistan, duke propozuar formate të ndryshme për zhvillimin e konferencave dhe për dhënien e ndihmës qeverisë së Karzait. Gjatë kësaj Rusia, pavarësisht nga fakti se fuqitë perëndimore, dhe para së gjithash SHBA-s, do të donin shumë që Moska të dërgonte atje forcat e veta ushtarake, e ndihmon Afganistanin politikisht”, - u shpreh orientalisti. Një nga problemet kryesore në Afganistan është lufta kundër drogës. Ekziston dëshira e mirë dhe përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për ti dhënë fund njëherë e mirë punës me trafikimin e drogës nga ky vend, por mungon strategjia e përbashkët. Rusia, për shembull, ngul këmbë për eliminimin e plantacioneve të mbjella me lulekuqen e opiumit, kurse SHBA-s, përkundrazi, nuk i prekin ato me dorë. E megjithëse shërbimet speciale ruse dhe amerikane zhvilluan në vitin 2010 një operacion të përbashkët të suksesshëm për eliminimin e laboratoreve të përftimit të drogës, problemi është akoma larg zgjidhjes. Në këtë sfond largimi i trupave dhe kalimi i kontrollit të situatës tek autoritetet afgane mund të zgjatet për vite e vite me radhë. Rezistenca e Lëvizjes "Taliban" nuk u thye dot. Plantacionet e mbjella me lulekuqe opiumi nuk u asgjesuan. Humbjet e koalicionit po vijnë duke u rritur dita-ditës. Vetëm për vitin 2010 në Atdhe u dërguan më shumë se 700 arkivole me trupat e ushtarakëve të koalicionit. Kështu që problemet e Afganistanit do të jenë për një kohë ende të gjatë dhimbje koke për komunitetin ndërkombëtar.