Shkarko audiofailin


 Në territorin e Rusisë ekzistojnë dy breza ku janë fiksuar temperatura të ulta rekord: - 65 dhe - 67 gradë. Këto vende - Ojmiakon dhe Verhojansk - ndodhen në Jakuti, në Siberinë Lindore, në skaj të ngricës së përjetshme. Në kryeqytetin e Jakutisë - Jakutsk - është vendosur edhe Instituti i parë në botë i ngricës së përjetshme. Në vitin 2010 ai kremtoi 50 vjetorin e themelimit të vet. Formacionet shumëvjeçare të ngricës së përjetshme zenë më tepër se 60% të territorit të Rusisë. Problemet që studiojmë ne kanë të bëjnë me veçoritë e akujve që mbulojnë këto toka, me ngrohjen globale, me nxjerrjen në këto vise të mineraleve të dobishme, thotë Drejtori i Institutit të studimit të ngricës së përjetshme Rudolf Çzhan: “- Sfera e studimeve tona është ngrica e përjetshme, fuqia e saj, mënyra e ndryshimit të saj, proceset kriogjenike që ndodhin në të. Në Institutin tonë pas studimeve kohëgjata e skrupuloze arritën në konkluzionin, se ngrica e përjetshme reagon në mënyrë shumë të ngadalshme ndaj ndryshimit të klimës. Në një vend ajo tërhiqet, në një tjetër avancon, ndërsa ka dhe zona të tilla ku ndodh transformimi i ngricës së përjetshme nga një lloj në një tjetër”, - thotë Rudolf Çzhan. Ngandonjëherë shtresat e shkrira të akullit e habisin botën e shkencës me misteret e fshehura në gjirin e tyre. Për shembull, 3 vjet më parë në ngricën e përjetshme u zbulua një ekzemplar i rrallë, për nga mënyra e ruajtjes së vet, një mamuth me moshë 37 mijë vjeçare. Gjenetikët mbi bazë të këtij zbulimi arritën të deshifrojnë gjenomin e mamuthit, biologët po vazhdojnë të studiojnë mostrat e indeve dhe shpresojnë të gjejnë në to viruse të moçme, ndërsa në stomakun e mamuthit - pjalmin e bimëve të lashta, mbi bazë të të cilave mund të rikonstruktohet tablloja e florës së atëhershme. Por thesaret kryesore të territoreve veriore fshihen në thellësitë e nëntokës së tyre: ari, elmazet, metalet me ngjyra, nafta, gazi. 7 prej 8 rajoneve-vendburime të naftës dhe gazit të Rusisë ndodhen në zonën e ngricës së përjetshme. Nxjerrja e këtyre lëndëve hidrokarbure realizohet me ndihmën e teknologjive origjinale dhe impianteve të përpunuara në Institutin  e studimit të ngricës së përjetshme. Shkencëtarët rusë kanë krijuar gjatë shekullit të kaluar jo vetëm shkencat e reja: kriogjeologjinë, krioinxhinierinë. Aktualisht ata janë liderë të padiskutueshëm në studimin e cilësive, vetive të burimeve të tilla të përftimit të gazit me mjaft perspektivë si hidratet e gazit (këto janë gazi dhe uji në gjendje të ngrirë), burim ky praktikisht i pashtershëm energjetik i Veriut. Ndaj këtyre studimeve po shfaqin interesim mjaft të gjallë specialistët nga Amerika, Japonia, Gjermania. Në ishullin Samoillovskij, për shembull, shkencëtarët rusë tashmë që prej shumë vitesh me radhë po zhvillojnë studime së bashku me kolegët e tyre gjermanë. Në këtë ishull shtresa e akullnajave arrin deri në 500 metra, kurse temperatura e shtresave shumëvjeçare të akullta shkon deri në - 10 gradë. Në vigjilje të Vitit të Ri shkencëtarët e Institutit të sipërpërmendur e kanë bërë traditë tashmë të vizitojnë muzeun e tyre nëntokësor. Muret e korridoreve të akullt të tij paraqesin në vetvete objektin kryesor të studimeve të tyre shkencore - ngricën e përjetshme, kurse eksponatet e muzeut tregojnë mbi historinë 50 vjeçare të Institutit. Ndërsa në një nga korridoret mund ti afrohesh 2 figurave të bëra prej bore - këto janë Plaku i Vitit të Ri dhe Sneguroçka (Vajza prej dëbore që shoqëron tradicionalisht në Rusi Babagjyshin e Vitit të Ri). Ato janë vendosur në këtë muze që prej disa vitesh. Bashkëpunëtorët e tij dikur i shpëtuan nga shkrirja këto figua prej dëbore në sheshin qendror të Jakutskut. Në pranverë ata i ndanë pjesë-pjesë këto figura dhe i zhvendosën në ngricën e përjetshme të muzeut ku i rikonstruktuan në pamjet e tyre fillestare. Tani Plaku i Vitit të Ri dhe Sneguroçka janë shndërruar në eksponatë të muzeut, në përfaqësues të ngricës së përjetshme.