Vitin e Ri rusët do ta presin sërish me përrallën e tyre të dashur! Më 1 janar në ekran të gjerë do të dalë filmi i regjisorit Andrei Konçallovskij “Arrëthyesi dhe Mbreti i Minjve”. Pa historinë fantastike mbi vajzën e quajtur Masha dhe Princin e shndërruar nga magjistari në kukullën prej druri - Arrëthyesin, që lufton me vetmohim kundër Mbreti i Minjve, është e pamundur të përfytyrohen pushimet dimërore. Përralla e famshme e Krishtlindjeve e Theodor Hoffmann-it fitoi një popullaritet jashtëzakonisht të madh falë kryeveprës së gjeniut rus Pjotër Çajkovskij - baletit “Arrëthyesi”. Atë e adhurojnë në mbarë botën dhe çdo vit në ditët e pushimeve dimërore të dhjetorit e janarit ai bëhet zbukurim i repertorit jo vetëm të teatrove kryesore ruse, por dhe të shumë vendeve të Europës dhe Amerikës. Pikërisht baleti i Çajkovskit dhe u bazë e subjektit të filmit të regjisorit Andrei Konçallovskij, i cili propozon në të versionin e vet të përrallës së krijuar me ndihmën e teknologjive bashkëkohore në formatin që është mjaft në modë aktualisht - 3D. Kurrë ndonjëherë më parë “Arrëthyesi” nuk ka qenë kaq i mirë, kaq fatsjellës - buxheti i filmit i tejkaloi të 90 milionë $. Dhe duhet thënë se në punën për realizimin e tij kanë marrë pjesë edhe kinematografistët holivudianë: në rolet kryesore së bashku me aktoren ruse Julia Visockaja (meqë ra fjala bashkëshorten e regjisorit) kanë luajtur edhe yjet kinematografikë, në veçanti, aktorja e re Elle Fanning. Ndërsa tekstet e këngëve me muzikë të Pjotër Çajkovskit i shkroi bashkautori i rock-operas së famshme “Jezu Krishti-Superstar” Tim Rice. “Qëllimi ynë ishte të krijonim një botë të tillë në të cilën fantazia të ndërthurej me realitetin, siç ndodh përherë një gjë e tillë në mendjet e fëmijëve. Lodrat zgjojnë tek fëmijët fantazinë e bujshme, prandaj dhe ne si fëmijët, pasi morrëm në dispozicion mjete të jashtëzakonshme teknike, vendosëm të luajmë me këto lodra dhe i dhamë liri absolute fantazisë sonë”, thotë Andrej Konçallovskij. Si rezultat përfituam një përrallë “retro-futuristike”.    Fabula e Theodor Hoffmann-it është ruajtur, ndërsa ngjarjet janë zhvendosur në vitet 20-të të shekullit të XX në Vjenë. Qyteti i mbrekullueshëm po përgatitet për kremtimin e Krishtlindjeve, ndriçojnë në mënyrë verbuese vitrinat luksoze, njerëzit i gëzohen festës në pritje të mrekullisë... Por jo gjithçka është ideale në këtë botë. Një regjiment i tërë minjsh, i pajisur me teknikën më bashkëkohore, hipur në motorrë të fuqishëm dhe aparate fluturuese fantastike pushton qytetin, zhduk të gjitha lodrat dhe përpiqet të verë nën sundimin e vet qytetarët e tij. Në luftën të pabarabartë me ta hyn një vajzë e vogël dhe Arrëthyesi i saj prej druri... Megjithëse disa kritikë e quajnë filmin kopje me buxhet jashtëzakonisht të lartë të konvejerit të “Dreamland” (“Fabrikës së ëndërrave”), ia vlen, padyshim, të shihet megjithatë përralla e mrekullueshme, e cila i rikthen njerëzit në botën magjike të fëmijërisë.