Në vigjilje të Vitit të Ri, si zakonisht, Presidenti i Federatës Ruse iu drejtua me urimet e rastit bashkatdhetarëve. Dimitri Medvediev nxorri jo vetëm përfundimet e vitit në mbarim, por dhe të dekadës së parë të këtij shekulli. “- Shumë shpejt Orët e Kremlinit do të shënojnë mbarimin e vitit 2010 dhe bashkë me të dhe dekadës së parë të shekullit të tanishëm. Duke përcjellë vitin e vjetër ne sjellim ndërmend momentet e gëzueshme dhe të trishtueshme të tij dhe shpresojmë se viti i ardhshëm do të jetë më i mirë dhe më i mbarë për çdonjërin nga ne dhe për mbarë vendin tonë. Ne do të ndërtojmë së bashku Rusinë bashkëkohore - të fortë, të hapur, dashamirëse”, - tha Dimitri Medvediev. Viti që po përfundon u bë një ndër më të vështirët në historinë e re të Rusisë. Para së gjithash, ai do të mbetet në histori me kataklizmat e veta klimatike - vapën e paparë anomale dhe zjarret pyjore që tronditën vendin. Kjo situatë u pasqyrua negativisht në ekonominë e vendit, ngadalësoi disi procesin e daljes nga kriza ekonomike. E megjithatë, ritmet e rritjes ekonomike në vitin 2010 përbënë rreth 4%. Udhëheqja e vendit e kupton për mrekulli se do të duhet të bëhet ende një punë shumë e madhe dhe shpreson në ndihmën dhe mbështetjen e qytetarëve rusë. “- Ne kemi një histori të lashtë e tejet të pasur me të cilën krenohemi me të drejtë të plotë. Por në të njëjtën kohë Rusia bashkëkohore është një vend i ri: në vitin e pritshëm - 2011- ajo do të mbushë vetëm 20 vjet. Për një shtet kjo nuk është moshë solide, por fëmijët që lindën në Rusinë e re tashmë u maturuan. Tani edhe nga ata do të varet ajo, se si do të jetë dekada e dytë e këtij shekulli. Dhe të gjitha ato që ne po bëjmë tani i bëjmë për fëmijët tanë, me qëllim që ata të rriten të shëndetshëm, që të gjitha dëshirat e ëndërrat tu realizohen atyre, që ata të jetojnë në një vend të sigurtë, të begatë e të lumtur, në vendin ku respektojnë të moshuarit, ku ruajnë me përkushtim traditat e popullit tonë multinacional, në të cilin njerëzit synojnë drejt realizimit të qëllimeve të denja, fisnike”. “- Festa e Vitit të Ri ka atmosferën e vet të papërsëritshme, - thotë Dimitri Mevdediev. Kjo festë është e mbushur me ngrohtësi të veçantë e sinqeritet. Le ti urojmë njëri-tjetrit dashuri e lumturi! Le të gjejnë realizim në jetë ëndrrat tuaja më sakrale! Gëzuar Vitin e Ri 2011!”.

Nga ana jonë, ne bashkëpunëtorët e Radiokompanisë “Zëri i Rusisë”, ju drejtohemi me urime po të tilla të ngrohta e të sinqerta gjithë dëgjuesve tanë të nderuar dhe mbetemi me shpresën se auditori ynë do të vijë duke e rritur me kalimin e çdo viti. Gëzuar Vitin e Ri!