Në vigjilje të festave të Vitit të Ri Qendra kombëtare ruse e studimit të opinionit publik zhvilloi anketimin me tematikë kushtuar qëndrimit të qytetarëve rusë ndaj fishekzjarreve festive - që krijojnë gjithmonë një atmosferë të mrekullueshme, por dhe jo të parrezikshme. Sipas rezultateve të anketimit doli, se çdo një ndër tre qytetarë të Rusisë ka ndërmend të hedhë fishekzjarre natën e Vitit të Ri, ndërsa të tjerët nuk janë aspak kundër të bëhen spektatorë të këtij argëtimi me zjarrin. Pirotekniku i parë dhe më i famshëm i Rusisë ka qenë Perandori Pjetri i Parë, i cili sanksionoi traditën e festimit të Vitit të Ri më 1 janar dhe me dekret të posaçëm urdhëroi ndezjen në natën festive të dritave shumëngjyrëshe dhe lejimin e “argëtimeve me zjarre”. I njohur për pasionin e vet gati maniakal ndaj piroteknikës Cari rus mblodhi në bibliotekën e vet pothuajse të gjitha botimet origjinale dhe të përkthyera të librave të njohur mbi këtë temë. “Argëtimet me zjarrin” në kohërat e drejtimit të Pjetrit të Parë ishin jo vetëm zbavitje, por dhe pjesë e propagandës shtetërore. Për shembull, në fishekzjarret e Vitit të Ri 1702 u paraqit fidani i ri që rritet nga pema e moçme. Ky ishte aluzion për fitoren e parë të Rusisë në luftën e filluar me suedezët. Fishekzjarret e festës së fundit të Vitit të Ri të epokës së Pjetrit të Parë gjithashtu kanë gjetur pasqyrim në kronikën historike: në një pankartë (baner) figuronte shëmbëlltyra e Saturnit që shpërndante nga briri i bollëkut të mira të shumëllojshme. Ky subjekt destinohej ti demonstronte qytetarëve afrimin e shekullit të bollëkut. Pjetri i Madh ishte sundimtar i vendosur dhe i rreptë: pothuajse të gjitha zakonet e traditata, të cilat ai mendonte se ishte e arsyeshme të hynin në jetën e rusëve, hodhën rrënjë. Ndër të tjera edhe ajo që ka të bëjë me fishekzjarret festive të Vitit të Ri. “Unë e kam të vështirë ta përfytyroj këtë festë pa fishekzjarre” - thotë moskoviti Oleg Petrovskij. “- Sjell ndërmend me nostalgji se si në fëmijëri ne dilnim me vrap në ballkon dhe fillonim të numëronim me ngazëllim breshëritë e fishekzjarreve që mbulonin qiellin me drita shumëngjyrëshe në të gjitha festat e mëdha të vendit. Ne ëndërronim atëhere të ndiznim ndonjëherë vetë fitilin e fishekzjarreve të vogla dhe kur një mundësi e tillë na u krijua, të gjithë e realizuam me gëzim në shpirt dëshirën e “zjarrtë” të fëmijërisë. Prandaj mendoj se festa e Vitit të Ri, e cila është një ndër më të rëndësishmet e më të dashurat në Rusi, nuk mund të imagjinohet kurrsesi pa fishekzjarre”, - tha moskoviti Oleg Petrovskij. Bashkë me këtë personat që ëndërrojnë ta kremtojnë festën e Vitit të Ri me “argëtime zjarri”, rrezikojnë të paguajnë për këtë zbavitje një gjobë e cila e tejkalon disa herë çmimin e vetë fishekzjarreve. Një vit më parë, pas zjarrit që shpërtheu në një nga klubet ruse, të shkaktuar prej show-ut piroteknik, me urdhëresë të posaçme qeverie u vendosën rregulla të reja, të rrepta të hedhjes së fishekzjarreve. Që këtej e tutje në Rusi ndalohet zhvillimi i show-e piroteknike në lokale të mbyllura si dhe lëshimi i fishekzjarreve nga ballkonet, çatitë e taracat e godinave të banimit. Shkelësit e këtyre rregullave i presin gjoba të rënda.