Shkarko audiofailin


Ekonomia e Rusisë po del nga kriza. Rritja e prodhimit industrial, mbi bazë të rezultateve të vitit në përfundim, do të përbëjë më tepër se 8%, kurse GDP pritet të rritet deri në 4%. Në vend u hapën më tepër se 1 milionë vende të reja pune. Por viti 2010 solli, duhet thënë, edhe jo pak surpriza të pakëndshme. Pasojave të krizës financiare botërore dhe mangësive strukturore të ekonomisë iu bashkangjit vera anomalisht e nxehtë. Zjarret pyjore dhanë goditje të rëndë mbi ekonominë bujqësore të Rusisë duke zhdukur pjesën më të madhe të të korrave (bereqetit). Si rezultat pasoi rritja e çmimeve të produkteve kryesore ushqimore dhe rritja e inflacionit. Pavarësisht nga të gjitha këto evidentohet megjithatë avancimi përpara. Nuk kanë aspak të drejtë ata që konfirmojnë, se vendi u shndërrua në donator lëndësh të para. Industria ruse e prodhimit të automobilave, për shembull, përvetësoi praktikisht prodhimin dhe doli në nivelin e parakrizës. Rusia ndërmorri përpjekje të fuqishme për të mos mbetur pas në zhvillimin e drejtimeve të teknologjive të larta. Për këtë dëshmojnë projekte të tilla si Qyteza inovative “Skolkovo”, sektorët nanoteknologjikë të ekonomisë, zhvillimi i degëve farmaceutike dhe bioteknologjike. Por ka edhe segmente të tjera ku Rusia mund të zinte për mrekulli vendin e vet, vë në dukje Krye-ekonomisti i Deutsche Bank Jarosllav Lisovolik: “- Rusia ka potencial në çdo sektor, në çdo segment. Një potencial të fuqishëm në ekonominë bujqësore. Këto vitet e fundit demonstruan qartë se në këtë drejtim është arritur një progres i qenësishëm. Në sektorin e shërbimeve ekziston ideja e krijimit të Qendrës Financiare Botërore. Këtij procesi aktualisht po i kushtohet gjithnjë e më shumë vemendje. Në qoftë se Rusia dëshiron të mbetet fuqi e madhe, ajo duhet të prodhojë aeroplanë dhe jo vetëm ushtarakë. Në këtë lëmë nuk duhet patur frikë për të krijuar aleanca me kompanitë e huaja”, - tha Jarosllav Lisovolik. Meqë ra fjala, aeroplani rus “Superjet-100”, të cilin në vitin 2011 do ta marrin tashmë porositësit, është konstruktuar në kooperim të ngushtë ndërkombëtar. Ky shembull flet qartë mbi mundësitë e industrisë ruse të prodhimit të aeroplanëve. Në tërësi, ekonomia mund të zhvillohet me ritme akoma dhe më të shpejta, në qoftë se do të realizohet më aktivisht modernizimi, në qoftë se do të kalohet tek një nivel më i lartë teknologjiko-inovativ. Dhe atëhere mund të vërehet përmirësimi që në vitin 2011, thekson Jarosllav Lisovolik.