Shkarko audiofailin


Marrëdhëniet midis Presidentit dhe Kryeministrit, marrëdhëniet ruso-amerikane, perspektivat e hyrjes së Rusisë në OBT dhe pozitat ndërkombëtare të rublës. Me këto pyetje iu drejtuan, në radhë të parë, gazetarët Vladimir Putinit në komunikimin tradicional joformal të tij me përfaqësuesit e shtypit. Takime të tilla zhvillohen zakonisht ose rreth tryezës së çajit, ose me kupa shampanje në dorë. Kësaj here Kryeministri propozoi vetë fillimin e bisedës me dollinë “Për gazetarët!”. Një nga pyetjet e para që iu drejtuan atij në këtë atmosferë pragfeste ishte: kur do të marrë Vladimir Putin vendimin në lidhje me pjesëmarrjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012? Përgjigja fillimisht, me thënë të drejtën, i zhgënjeu sinqerisht gazetarët. “Është ende shumë shpejt të flitet për këtë”. Por më pas Kryeministri konfirmoi: se ai dhe Presidenti Dimitri Medvediev do të marrin një vendim të bashkërenditur në lidhje me pjesëmarrjen në zgjedhjet e pritshme. Vladimir Putin quajti sukses të padiskutueshëm të Kryetarit të shtetit në lëmin e politikës së jashtme nënshkrimin e Traktatit ruso-amerikan mbi shkurtimin e Armatimeve Strategjike Ofensive. Sipas fjalëve të tij, ky dokument është një ndër elementët më të rëndësishëm të ndërtimit të marrëdhënieve të Rusisë me botën e jashtme: “- Mjedisi i favorshëm i jashtëm, padyshim, është një ndër faktorët më të rëndësishëm të zhvillimit të brendshëm stabil dhe të qetë”, - tha ai. Duke iu përgjigjur pyetjes - nëse është rritur vallë besimi i Rusisë ndaj SHBA pas nënshkrimit të Traktatit mbi Armatimet Strategjike Ofensive (ASO) - Kryetari i qeverisë theksoi se ai “po vjen duke u forcuar vazhdimisht e vazhdimisht, por tani për tani nuk është përforcuar përfundimisht”. Gjatë vitit në përfundim SHBA, BE dhe ekonomi të tjera lokomotiva të botës dhanë pëlqimin përfundimtar për hyrjen e Rusisë në Organizatën Botërore të Tregtisë. Ndërkohë Kryeministri nuk përjashton edhe lindjen e vështirësive të reja në këtë drejtim gjatë vitit të pritshëm. “- Ne kemi zhvilluar për një kohë të gjatë negociata me to dhe praktikisht arritëm ti bashkërendisim të gjitha problemet. Unë bile tani as që mund të përfytyroj dot se ç’mund të bëhet pengesë për mospranimin e Rusisë në OBT. Por, po ti vërë ndokush qëllim vetes, sigurisht që mund të gjenden ndofarë vërejtjesh e pretekstesh që do të bëhen pengesë për bashkimin e Rusisë me OBT. Po të dojë ndokush ta bëjë këtë”, - tha Vladimir Putin. Bashkë me këtë ai vuri në dukje, se krijimi i Bashkimit Doganor së bashku me Bjellorusinë dhe Kazakistanin i detyroi partnerët e huaj të Rusisë ta përshpejtojnë vetë procesin e hyrjes së saj në OBT. Ata e kuptuan se ne mund të bëjmë pa kurrfarë problemi edhe pa OBT, dhe shtoi, se Bashkimi Doganor është ndërtuar mbi bazë të rregullave të OBT. Kryetari i qeverisë konfirmoi, se një nga perspektivat e dëshirueshme në të ardhmen është arritja e kursit plotësisht të lirë të rublës në tregun monetar. Afatet e kalimit tek realizimi i këtij qëllimi do të varen, në radhë të parë, nga zhvillimi i ekonomisë ruse.