Parada e Babagjyshëve rusë të Vitit të Ri dhe Santa Claus-ve gjermanë do të zhvillohet në 3 janar në Vollgograd (zona e Povollzhjes). Marshimin e tyre do ta kryesojë Babagjyshi kozak i Vitit të Ri hipur mbi kalë. Një ndër momentet më mbresëlënës të këtij aktiviteti do të bëhet riti, ceremonia e dorëzimit të zjarrit të paradës nga ana e Santa Clausit kryesor gjerman Babagjyshit rus të Vitit të Ri. Në këtë paradë do të marrin pjesë më tepër se 200 veta.  

Një nga klinikat më të mëdha të Moskës - Spitali Botkinskij - kremtoi 100-vjetorin e vet. Ai u ndërtua me mjetet financiare të tregtarit moskovit me emër Kozma Solldatenkov. Sipas amanetit të tij, spitali duhej të ishte “falas për të gjithë të varfërit pa dallim titujsh, shtrese shoqërore dhe feje”. Midis pacientëve më të famshëm të tij ka qenë Prijësi i Revolucionit -Vladimir Lenini - të cilit kirurgët i hoqën plumbin pas atentatit ndaj jetës së tij. Në Spitalin Botkinskij u krijua reparti i parë i reanimacionit, për herë të parë iu bë prova aparatit “veshka artificiale”, për herë të parë u realizua operacioni për vënien e kyçit artificial pacientit gjatë indoprotezimit (artroprotezimit).

Në vigjilje të Vitit të Ri në Altai (Siberi Perëndimore) erdhën sërish mjellmat. Zakonisht këto shprendë të mrekullueshme dimërojnë në viset e ngrohta - në brigjet e Detit Mesdhe. Por ndër këta shpendë ka dhe “patriotë”. Ato nisen drejt liqenit të cilin nuk e lenë të ngrijë gjatë dimrit burimet e ngrohta nëntokësore. Bile dhe në të ftohtin e madh prej - 40 gradësh temperatura e këtyre burimeve nuk bie kurrë më poshtë + 5 gradëve. Mjellmat e para në këto vise erdhën gati gjysmë shekulli më parë. Atëhere ato nuk numëronin më shumë se 10 zogj. Ndërsa kësaj here ornitologët kanë fiksuar numrin rekord të tyre - rreth 350 shpendë.