Rusia do të mbyllë unazë automobilistike që do të ndërtohet rreth e përqark  Detit të Zi. Presidenti Dimitri Medvediev nënshkroi ligjin që i jep, si i thonë fjalës, “dritë jeshile” zhvillimit të sektorit rus të “Udhës së Mëndafshit” në zonën e Detit të Zi. Në vitin 2007 Rusia u propozoi fqinjëve të vet në Pellgun e Detit të Zi për ti lidhur rrugët e veçanta ekzistuese me një unazë unike. Projekti i memorandumit po atë vit u nënshkrua në Beograd nga Kryetarët e qeverive të 12 vendeve. Përgjatë gjithë vijës bregdetare propozohet të ndërtohet autostrada e qarkullimit me shpejtësi të lartë, e cila do të bashkojë Turqinë, Gjeorgjinë, Ukrainën, Moldavinë, Rumaninë, Bullgarinë dhe Greqinë. Sipas idesë, pas realizimit në jetë të këtij projekti, kamionçina e nisur, të themi, nga Novorosijsku mund të përshkojë pa kurrfarë problemi rrugën e shtruar rreth e përqark Detit të Zi, gjë kjo që aktualisht është krejtësisht e pamundur. Përveç kësaj, projekti parashikon realizimin e degëzimeve të shumta që e marrin fillesën nga kjo unazë. Si rezultat, në unazën e Detit të Zi mund të përfshihen atëhere edhe Armenia, Azerbajxhani, Shqipëria dhe Serbia. Ky është një projekt me rëndësi jashtëzakonisht të madhe, i cili në masë të njëllojtë është atraktiv për të gjitha këto vende, dekaroi për Radiokompaninë “Zëri i Rusisë” eksperti i Institutit rus të Zhvillimit Bashkëkohor Nikita Maslenjikov: “- Fjalë bëhet për zhvillimin e sistemit të infrastukturës së transportit, e cila do të krijojë stimuj seriozë për zgjerimin e hapësirës ekonomike, iniciativat sipërmarrëse. Sido që të jetë, kjo do të lidhet me efektet sistemore, të cilat aktualisht është e vështirë të vlerësohen sipas meritës deri në fund”, - tha Nikita Maslenjikov. Ndër to mund të përmenden zhvillimi industrisë së ndërtimit dhe rritja e nivelit të punësimit, meqenëse do të duhet të rikonstruktohen më tepër se 7 mijë kilometra akse ekzistuese rrugore dhe të pajtohen ato me standartet e autostradave ndërkombëtare. Intensifikimi i rrymave turistike dhe atyre transportuese të mallrave nëpër sterë do të stimulojë zhvillimin e infrastrukturës së porteve, shprehet me bindje Nikita Maslenjikov. “- Duhet zhvilluar medoemos infrastruktura e porteve dhe të shfrytëzohet seriozisht transporti detar. Si rezultat do të përfitohet një stimul i natyrshëm dhe mjaft serioz për zhvillimin e porteve dhe në tërësi për industrinë e ndërtimit të anijeve. Bile edhe këta shembuj janë mëse të mjaftueshëm për ta vlerësuar pozitivisht iniciativën e Rusisë dhe për të mbajtur një qendrim serioz e tejet të vemendshëm ndaj projektit të sipërpërmendur”, - konkludon Nikita Maslenjikov. Rusia është ingranuar në punën për shtrimin e “Udhës së Mëndafshit” rreth e përqark Detit të Zi edhe me marrjen parasysh të zhvillimit të infrastrukturës së transportit për Olimpiadën Dimërore të Soçit, e cila pritet të zhvillohet në vitin 2014. Ndërsa kjo është edhe një garanci suplementare e asaj, se sektorin e vet të unazës ajo do ta realizojë me marrjen parasysh të kritereve më serioze ndërkombëtare. Para së gjithash, për nga pikëpamja e garantimit të sigurisë dhe cilësisë së shërbimeve përgjatë gjithë aksit rrugor. Përveç kësaj, Rusia propozoi përpunimin e programit të korridorit transportues me itinerar Europë-Kaukaz-Azi. Ai do të kalojë nga Franca nëpërmjet Belgjikës, Gjermanisë, Polonisë, Ukrainës, Rusisë, Kazakistanit, Uzbekistanit, Turkmenistanit dhe Kirgistanit me dalje në Kinë. Unaza automobilistike e Detit të Zi vlerësohet si një nga hallkat përbërëse të këtij itinerari.