Shkarko audiofailin


Politika e qartë dhe e kuptueshme e migracionit dhe patriotizmi mbarëkombëtar rus. Sipas mendimit të anëtarëve të Këshillit Shtetëror pikërisht këto dy kushte lejojnë ti pritet rruga përhapjes së ksenofobisë. Presidenti i Rusisë Dimitri Medvediev ndryshoi befas të hënën rendin e ditës së mbledhjes, në të cilën ata kishin ndërmend të shqyrtonin problemet e demografisë. Sipas mendimit të Dimitri Medvedievit, para së gjithash, duhet shpëtuar shoqëria nga konfliktet ndëretnike. Problemi i konflikteve ndëretnike u acarua seriozisht këto kohët e fundit në Rusi dhe në vendet europiane. Shkaku kryesor i kësaj është globalizimi gjithnjë e në rritje dhe bashkë me këtë migracioni i popullsisë. Dhe askund në botë nuk është gjetur tani për tani receta e harmonisë absolute sociale, konstatoi Presidenti rus. Përsa i përket çështjes kombëtare të Rusisë, këtu, sigurisht, ekzistojnë edhe veçoritë e veta, vuri në dukje Medvediev: “- Rusia është vend me të vërtetë unikal që zotëron një përvojë të paçmuar. Ndryshe nga shumë vende të tjera, popujt e Rusisë në një masë të konsiderueshme kanë ruajtur edhe doket e zakonet, edhe gjuhën, edhe fenë e vet. Dhe gjatë kësaj fituan unitetin politik e kulturor në përbërjen e një prej shteteve më të fuqishëm të botës. Një kombinim i tillë, në tërësi, na bën ne një komb të fortë e të autoritetshëm”, - tha Dimitri Medvediev. Por që të ruhet një harmoni e tillë, sipas fjalëve të Presidentit, nevojiten përpjekjet e vazhdueshme, të përditshme të mbarë shoqërisë dhe autoriteteve pushtetore. Sepse Rusia aktualisht renditet në vend të dytë - pas SHBA - përkatësisht numrit të migrantëve që vijnë në të nga  jashtë shtetit. Nga njëra anë kjo dëshmon për atraktivitetin e vendit tonë. Kurse nga ana tjetër, presioni demografik nga jashtë bën të lindin probleme të mëdha, të cilat mund të zgjidhen vetëm me respektimin rigoroz të legjislacionit të migracionit. Por përveç migracionit të jashtëm ekziston edhe ai i brendshëm - njerëzit synojnë të zhvendosen nga skajet e thella të vendit në rajonet me ekonomi më të zhvilluar të tij. Një “shpërngulje e tillë e popujve” ndryshoi ekuilibrin etnik të territoreve, i cili ka ardhur duke u formuar për shekuj të tërë me radhë. Dhe barra kryesore për zgjidhjen e këtyre problemeve bie mbi guvernatorët, të cilët duhet të punojnë në vend me komunitetet nacionale (etnike). Kryesorja në këtë punë është rivendosja, ripërtëritja e një nocioni të tillë, të lënë padrejtësisht në harresë gjatë këtyre viteve të fundit, si “partriotizmi mbarëkombëtar rus”, mendon Kryeministri i Rusisë. Siç vuri në dukje në Këshillin Shtetëror Vladimir Putin, duhet që çdo njeri të krenohet me vendin e tij dhe të perceptojë qartë se nga suksesi i gjithë shtetit varet suksesi i çdonjërit shtetas në veçanti dhe anasjelltas.