Në Pemën kryesore të Vitit të Ri të vendit, e cila është vendosur në Sheshin Sobornaja të Kremlinit të Moskës, u ndezën dritat festive. Këtë vit bukuroshja pyjore 30-metërshe është stolisur në mënyrë inovative. Për herë të parë atë e zbukuruan me një shirit ndriçues 1 kilometër të gjatë, i cili përbëhet nga 3.300 LED-s blu, të bardha dhe të kuqe (ngjyrat e flamurit rus). Petku festiv i Bredhit të Kremlinit përbëhet nga 2000 lodra të ndryshme - fjongo të kuqe, sfera ngjyra-ngjyra, zilka e këmbana ngjyrë argjendi. Kurse majën e tij e kurorëzon Ylli i Betlehemit me lartësi rreth 2 metra, gjithashtu me ndriçim LED. Pema mrekullisht e bukur, përrallore e Vitit të Ri, që nga 25 dhjetori fillon të përshëndesë mysafirët e rinj nga skaje të ndryshme të Rusisë, të cilët janë ftuar për pjesëmarrje në shfaqen e përgatitur me rastin e Vitit të Ri. Rusët nuk e perceptojnë dot festën e Vitit të Ri pa bredhin tradicional. Bukuroshja e gjelbër, e veshur me lodra të shumëllojshme e shirita ndriçues është simbol i festës më të dashur të vitit në vend. Vërtet, edhe kështu puna nuk kalon pa ndryshime. Bredhi natyral po vjen duke u zëvendësuar gradualisht nga pema artificiale. Vitin e kaluar 53% e qytetarëve rusë i zbukuruan shtëpitë e tyre në vigjilje të Vitit të Ri me pemë praktike jonatyrale. Këtë vit një zgjedhje të tillë ka ndërmend të bëjnë një numër shumë më i madh qytetarësh të vendit. Arsyet janë shumë të thjeshta. Së pari, mosdëshira për të prerë pemët e gjalla, së dyti, eliminimi i telasheve, sepse ndryshe nga bredhi natyral ai artificial nuk hedh në shesh halat. E megjithatë, 1 në çdo 5 qytetarë rusë nuk do t’ia mohojë vetes kënaqësinë e të blerit të bredhit të vërtetë. Argumenti kryesor i tyre është ky: “Vetëm era e bredhit të freskët të përmirëson gjendjen shpirtërore, të ngre humorin,  të krijon ndjesinë e vërtetë të afrimit të festës dhe të ndjell kujtimet e paharrueshme të fëmijërisë”. Në Rusi traditat e festimit të Vitit të Ri i solli nga Gjermania Cari Pjetri i Parë. Me urdhëresë të tij, për herë të parë viti i ri është festuar me bredh të stolisur në vitin 1700. Fillimisht pemët e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri i zbukuronin me mollë të gjalla, biskota dhe qirinj të ndezur. Lodra e parë e Pemës së Vitit të Ri në formën sfere (top) qelqi u prodhua në lokalitetin Lauscha në Thüringen në vitin 1848. Ajo destinohej të zëvendësonte zbukurimet kryesore të bredhit të Vitit të Ri - mollët - të cilat dhanë prodhim të varfër atë vit.