Si çdo shërbim special Interpoli nuk është organizatë publike. Por pikërisht veprimtaria e heshtur, jo zhurmëmadhe e tij çon pas hekurave të burgut anëtarët e komuniteteve kriminale ndërkombëtare. Gjatë vitit në përfundim Rusia i dorëzoi shteteve të huaja 19 kriminelë, njoftoi Kreu i Byrosë Qendrore Kombëtare të Interpolit, gjeneral Timur Llahonin. Nga ana e vet Federata Ruse ka shpallur si persona në kërkim ndërkombëtar 1542 veta, të akuzuar për vrasje, mashtrime dhe për veprimtari terroriste. Ky vit për Byronë Kombëtare ruse të Interpolit doli mjaft i frytshëm. Ajo ka bashkëvepruar me të gjitha 168 vendet - anëtare të Organizatës Policore Ndërkombëtare duke marrë pjesë në përcjelljen e rreth 3.500 çështjeve penale. Gjatë këtij viti janë forcuar marrëdhëniet me vendet europiane, vuri në dukje Timur Llahonin: “Sipas vlerësimeve të Europolit, shkëmbimi i informacionit midis Rusisë dhe Europolit karakterizohet aktualisht nga dinamika pozitive. Si shembull ilustrativ të këtij fakti do të dëshiroja të përmendja operacionin e përbashkët, të zhvilluar këtë vit në Greqi, me pjesëmarrjen aktive të Departamentit të sigurisë ekonomike të MPB të Rusisë për ndalimin e 5 liderëve të grupimit kriminal ndërkombëtar të falsifikuesve të kartmonedhave, të cilët vepronin në territoret e Rusisë dhe vendeve të BE. Përveç kësaj, vuri në dukje Kreu i Byrosë Qendrore Kombëtare të Interpolit, gjeneral Timur Llahonin, ekzistojnë edhe një sërë shembujsh të tjerë pozitivë të bashkëveprimit në luftën kundër krimit të drogës. Këtë vit, si rezultat i operacionit të përbashkët special, iu pre rruga kanalit të madh të furnizimit të kokainës nga Kolumbia nëpërmjet Holandës në Rusi. Droga transportohej në kutitë me lule. Në një kohë të afërt efikasiteti i punës së Byrosë Kombëtare ruse të Interpolit pritet të rritet. Meqenëse Byroja zotëron një nga bazat më të mëdha informative jo vetëm të kriminelëve vendas, por edhe atyre të huaj. Ndërsa sistemi i komunikimit me selinë e lnterpolit në Lion është pranuar si më i miri në botë.