Shkarko audiofailin


Siç dihet - Djalli fshihet në detajet. Dhe sigurisht në interpretimet. Kjo në masë të plotë ka të bëjë jo vetëm me ratifikimin nga Senati i SHBA të Traktatit ruso-amerikan mbi shkurtimin e Armatimeve Strategjike Ofensive (ASO). Nga njëra anë ky është padyshim një hap, arritje jashtëzakonisht e rëndësishme. Nga ana tjetër mbeten ende disa detaje që duhen sqaruar medoemos. Dhe interpretimi i tyre nga ana e çdo pale është individual. Sipas mendimit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon, votimi në Senatin e SHBA jep një sinjal të qartë dhe të saktë në mbështetje të mospërhapjes së armës bërthamore dhe çarmatimit. Kurse Bashkimi Europian vuri në dukje, se miratimi i Traktatit do tu lejojë SHBA dhe Rusisë, të cilat zotërojnë 95% të rezervave botërore të armëve bërthamore, të avancojnë në plotësimin e obligimeve të veta në lidhje me çarmatimin. Traktati mbi ASO është një kompromis i verifikuar diplomatik. Ndërsa rezoluta e Senatit të SHBA mbi ratifikimin e Traktatit paraqet në vetvete një dokument të njëanshëm. Dhe në të në momentin e fundit u bë amendamenti në lidhje me atë, se Traktati nuk mund të interpretohet si mjet ndikimi në planet e krijimit të mbrojtjes amerikane antiraket. Kështu, senatorët amerikanë e interpretojnë, sipas mënyrës vet, dispozitën e Traktatit që ka të bëjë me armatimet ofensive dhe ato mbrojtëse. Ndërsa Rusia këtë dispozitë e interpreton krejtësisht ndryshe - si të drejtën e vet për të dalë nga Traktati në qoftë se SHBA në mënyrë të njëanshme shkelin paritetin e armatimeve ofensive dhe atyre mbrojtëse. Ndaj këtij fakti tërhoqi vemendjen në intervistën e vet dhënë Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” eksperti rus në sferën e armatimeve Aleksei Arbatov: “- Po ç’përmasa dislokimi të sistemit amerikan të mbrojtjes antiraket mund të shkelin stabilitetin? Në këtë pikë Rusia dhe SHBA do tu përmbahen pozitave të ndryshme. Ndërsa së dyti, si t'ia bëhet punës me mbartësit e rinj strategjikë, të cilët parashikojnë shfrytëzimin e orbitave kozmike? SHBA para pak kohësh i bënë provë një sistemi të tillë. Ato mendojnë se këta mbartës nuk përfshihen ndër kufizimet e Traktatit. Kurse Rusia kërkon që ata të përfshihen medoemos. Kështu që do të ketë ende probleme. Por këto do të jenë probleme të lidhura tashmë me plotësimin e Traktatit që do të hyjë në fuqi. Dhe, sigurisht, probleme të një karakteri krejtësisht tjetër nga ato që lindin kur nuk ka traktat, nuk ka hapësirë ligjore, në të cilën ne të mund të diskutojmë në lidhje me këto apo ato çështje, apo kur neve na lindin dyshime ndaj njëri-tjetrit, meqenëse nuk ekzistojnë kurrfarë kufizimesh për armatimet bërthamore. Por problemet me të cilat do të duhet të përballemi ne në të ardhmen do të jenë megjithatë më pak të rrezikshme se ato ekzistuese në mungesë të traktatit, - thotë eksperti. Siç deklaroi Zëdhënësi i Dumës Shtetërore të Rusisë Boris Grizllov, parlamentarët rusë mund ta ratifikojnë tashmë që nesër Traktatin e ri ruso-amerikan mbi shkurtimin e Armatimeve Strategjike Ofensive (ASO). Sigurisht, në qoftë se ata do të arrijnë në konkluzionin se rezoluta e Senatit të SHBA është e pranueshme për Rusinë.