Klasiku i letërsisë gastronomike ruse William Pokhlebkin shkruante, se “në artin e kuzhinës Krushovi ishte njeri i thjeshtë. Shijet e tij gastronomike ishin jashtëzakonisht primitive: kulesh (llapa, bollgur meli me mish të kripur e dhjamë derri), kastraveca turshi, sallo (dhjamë derri), vodka”.

Ndoshta klasiku ka shumë të drejtë. Por me emrin e Nikita Krushovit është e lidhur, si minimum, tentativa për përhapjen e gjerë në gjithë Bashkimin Sovjetik të kulturës së misrit. Vërtet, misri parashikohej jo për ushqimin e njerëzve, por për bagëtinë. Gjatë kohës së drejtimit të Krushovit ishte me mjaft popullaritet parulla: “Misri është edhe mish, edhe qumësht, edhe gjalpë!”. Në fakt e bija e Krushovit tregonte, se në shtëpinë e tyre misri i zier ishte ndër ushqimet më të preferuara. Atë e servirnin në tryezë me tasa të mëdhenj.

Kultivimit të mistrit Krushovi i pat kushtuar kujdes të veçantë që para vizitimit në verë të vitit 1959 të shtetit amerikan Iowa, ku ai shkoi si mysafir tek fermeri amerikan Roswell Garst. Por bereqeti i bollshëm që pa ai në fermën në Iowa e habiti dhe e impresionoi kaq shumë Krushovin, saqë ai vendosi ta bëjë këtë kulturë “mbretëreshë të fushave” në gjithë Bashkimin Sovjetik. Për njëfarë periudhe misri, duke zhvendosur kulturat bujqësore tradicionale, pushtoi mbarë vendin. Në racionin ushqimor të njerëzve sovjetikë hynë kornfleiks, shkopinjtë e misrit, buka e misrit dhe bile sallam misri. Por eksperimenti me misrin nuk u kurorëzua me ndonjë sukses të veçantë. Ndërsa pas largimit të Krushovit nga pushteti faktikisht u pezullua fare.

Në vitet e paraluftës Krushovi, megjithëse dhe pat zënë poste të larta, po ashtu si dhe shumica e drejtuesve të tjerë sovjetikë ka jetuar në kushte spartane. Ishte kohë urie bile dhe për udhëheqësit e rangut të lartë. “Jeta jonë ishte mëse modeste, ngandonjëherë nuk mund të ngopnim dot barkun me bukë edhe në shtëpinë tonë”, - kujtonte Krushovi. - Prandaj, kur vinim në Kremlin,  shqepeshim duke ngrënë sanduiçe me sallam e proshutë, pinim çaj të ëmbël dhe i gëzoheshim të gjitha privilegjeve si njerëz të papërkëdhelur, të pamësuar me gatime kuzhine të sofistikuar” që ishim”.

Gjatë kohës së punës në postin e Sekretarit të Komitetit të Partisë të qytetit Moskë Krushovi ishte mysafir i shpeshtë në drekat familjare të Stalinit. Në këto dreka kishte verë dhe plot gjëra të tjera, por gjithçka me masë, në sasi jo të mëdha. Meqë ra fjala, Kruhovi pinte shumë pak, kryesisht konjak para drekës për të ngacmuar oreksin.

Ndërsa oreksin, siç kujtojnë njerëzit që e njihnin nga afër atë, Krushovi e kishte fort të mirë - qoftë në shtëpi, qoftë në bankete.

Klasiku i artit gastronomik William Pokhlebkin komfirmonte, se gjatë kohës së drejtimit të Stalinit Krushovi si “statist” (figurant) ishte pjesëmarrës i përhershëm i sofrës staliniane. Ndërsa më pas, kur zuri pozitë të pavarur në shtet dhe në parti, ai automatikisht filloi të përdorte tryezën shtetërore. Pas mënjanimit të tij nga postet shtetërore ai qetësisht iu kthye tryezës së shtëpisë të një nëpunësi të mesëm. “Ai nuk e përjetonte aspak faktin e rrëzimit të vet nga Olimpi gastronomik, - konstatonte William Pokhlebkin. - Ai ishte thellësisht i tronditur nga rrëzimi prej Olimpit politik”.

Vërtet, shijet e Krushovit ishin tejet modeste, popullore fare, mund të thuhet. Ai i jepte preferencë kuzhinave ruse dhe ukrainase. Krushovit i pëlqenin shumë  të ashtuquajturat varenjiki (gatim i kuzhinës kombëtare ukrainase në formë produkti të përgatitur me brumë pa maja, të cilit mund ti jepen forma diverse, dhe të mbushur me ingrediente të ndryshme: perime, mish të grirë, gjizë, fruta, reçel etj. që zihen në ujë të valuar për pak kohë). Varenjikët më të preferuar të Krushovit ishin ato të mbushura me lakër arme dhe qepë, me gjizë e salcë kosi, me patate të ziera, me vishnje. Krushovit i pëlqenin jashtë mase pelmenji (topa brumi të mbushur me mish, të zier në ujë - gjellë karakteristike siberiane kjo). Nga supat preferonte borsh-in (supë me panxhar, lakër dhe perime të tjera), soljanka-n (supë me lakër arme) dhe uha-në (supë peshku). Preferonte shumë ai sallamin me gjak të mpiksur, kulaçët e vegjël me patate, lakër, me vjazigë (produkt ushqimor i përgatitur nga struktura kurrizore e peshqve të mëdhenj-kryesisht bli, bli yjor (yllth) që thahet në ajër të pastër dhe thuret gërshet).

Parapëlqente Krushovi gjellët me mish - për të gatuanin mish me kërpudha, mish me kumbulla të zeza të thara. I servirnin biftek me sasi të madhe qepësh të skuqura.

Por gjella më e preferuar ishte për Krushovin megjithatë i ashtuquajturi kulesh gjyetie. Ky është një gatim shumë i thjeshtë dhe i ushqyeshëm: ai mund të serviret në tryezë edhe si pjatë e parë, edhe si pjatë e dytë. Krushovi e porosiste shpesh këtë gjellë dhe jo vetëm për vete. Atë ua servirnin edhe mysafirëve në bankete. Në menunë e banketeve kështu dhe shkruhej - kulesh gjyetie. Gatuhej ai me mish pule, sallo (dhjamë derri), qepë, oriz dhe domate.