Sporti dhe ekstremizmi nuk pajtohen kurrsesi me njëri-tjetrin. Lëvizja e tifozëve është forcë e madhe, por në qoftë se këtë forcë do të fillojnë ta drejtojnë ekstremistët, atëhere ajo do të shkatërrojë gjithë vendin, shprehet me bindje të plotë Vladimir Putin. Kryeministri rus të martën ndryshoi befas grafikun e vet të punës dhe u nis në takimin me anëtarët e klubeve të tifozëve të futbollit organizuar në Ministrinë e sportit dhe turizmit. Si shkas për zhvillimin e këtij takimi shërbeu vrasja e tifozit të ekipit të futbollit “Spartak” Egor Sviridov dhe trazirat që e pasuan atë. Dy javë më parë mitingu në Sheshin Manege të Moskës u shndërrua në përleshje masive dhe kacafytje me AMON-in (Repartin e forcave të destinacionit special). Më vonë, gjatë kohës së zhvillimit të komunikimit në linjë direkte me qytetarët e Rusisë, Vladimir Putin deklaroi, se trazirat i provokoi jo vetë vrasja e tifozit, por mungesa e reagimit të duhur nga ana e autoriteteve (siç u bë e ditur, hetuesit i liruan pjesëmarrësit e përleshjes në të cilën gjeti vdekjen Egor Sviridov, ndër të tjera edhe personin që qëlloi me armë traumatike mbi të - të ardhurin nga Republika e Kabardino-Ballkarisë Asllan Çerkesov). Aktualisht jo vetëm në Rusi, por edhe në vendet europiane lëvizjen e tifozëve synojnë ta shfrytëzojnë për qëllimet e veta jo të pastra forcat destruktive. Pikësynimi i tyre nuk konsiston aspak në zhvillimin e sportit, theksoi në takimin e sotëm me përfaqësuesit e klubeve të tifozëve sportivë Vladimir Putin: “- Në fakt, fjalë bëhet mbi kallëpe të ndryshme radikale. Dhe unë dua t’ju drejtohem juve me thirrjen e vërtetë - mos i lejoni askujt që t’ju marrë nën kontroll dhe të fillojë t’ju manipulojë sipas qejfit të vet. Ne, sigurisht, që do të marrim masat e duhura për t’i distancuar ata që merrem me mbështetjen e sportiti- tifozët, fanatët- nga radikalët që u bashkangjiten atyre për realizimin e qëllimeve të veta të errëta. Por pa ndihmën tuaj, pa pjesëmarrjen dhe mbështetjen tuaj direkte ne nuk mund ta bëjmë efektivisht një gjë të tillë”, - tha Kryeministri rus. Me rastin e vrasjes së Egor Sviridovit trazirat pasuese morrën ngjyrim nacionalist, gjë kjo që e habit pa masë Vladimir Putinin. Sipas mendimit të Kryeminsitrit, Rusia ka fituar një imunitet mjaft të qendrueshëm ndaj nacionalizmit. Sepse në territorin e saj që prej shekujsh me radhë bashkëjetojnë në paqe e mirëkuptim shumë popuj, të cilët kanë përpunuar një kulturë të caktuar marrëdhëniesh të ndërsjellta me njëri-tjetrin. Por tani ky imunitet kaq i fortë po fillon të dobësohet në konfrontimin me shfaqjet e  ksenofobisë. Tani për tani profilaktika ndaj ksenofobisë, dhe në përgjithsi ndaj vetë krimit si të tillë, i është ngarkuar diasporave. Vladimir Putin theksoi, se çdo diasporë - si ruse në Kaukaz, ashtu dhe ato kombëtare në Moskë apo Shën Peterburg duhet të punojnë me njerëzit, ti mësojnë ata të sillen me respekt ndaj kulturës vendase, dokeve e traditave të saj. Por edhe përgjegjësia e shtetit, sigurisht, që nuk mund ti ngarkohet askuj tjetër. Ai duhet të krijojë vende të reja pune, të hapë institucione arsimore me qëllim që njerëzit të kenë mundësi të studiojnë e të punojnë atje ku kanë lindur.