Viti 2010 kaloi nën shenjën e evenimentit të madh kulturor - 150 vjetorit që nga dita e lindjes së Anton Çehovit. Jubileu i klasikut të famshën të letërsisë ruse me nam botëror u kremtua me përmasa ndërkombëtare, gjë kjo s’të habit aspak. “Çehovi është piktor i pakrahasueshëm, i shkëlqyer i jetës, krijimtaria e të cilit është e afërt jo vetëm për shpirtin e njeriut rus, por dhe çdo njeriu tjetër në përgjithësi”, u shpreh për kolegun edhe bashkëkohësin e vet gjigandi tjetër i letërsisë ruse-Lev Tolstoi. Sipas mendimit të Ministrit të kulturës së Federatës Ruse Aleksandër Avdejev, “por në Rusi dashuria ndaj Çehovit është megjithatë krejtësisht e veçantë”: “Çehovi është shkrimtar që di ta mbështesë njeriun, ti japë atij të kuptojë, se jeta është e rëndësishme dhe me vlerë vetë e marrë në vetvete, pa vepra heroike dhe kërkime të mëdha. Çehovi ushtroi ndikim të madh në formimin e mentalitetit rus të shekullit të XX-të, dhe unë bile do të thoja, në vizionin ndaj botës, duke përfshirë edhe të kuptuarit e të drejtave të njeriut, që në Rusi, sigurisht, është çehovian”, u shpreh Avdejev. Rusia u bë platforma kryesore, në të cilën gjatë gjithë vitit kanë ardhur përfaqësuesit e botës së kulturës që ti shprehnin nderimin e  thellë kujtimit të Çehovit dhe të ndanin përsiatjet e veta në lidhje me krijimtarinë e tij. Në janar në Moskë u zhvillua forumi ndërkombëtar “Fjala për Çehovin”, dedikuar ditëlindjes së shkrimtarit (29 janar). Atëherë në fjalimet e pjesëmarrësve tingëlluan jo pak mendime dhe ide interesante, të cilat gjetën mishërim praktik në spektaklet e Festivalit të IX-të Ndërkombëtar Teatral të Çehovit. Me rastin e jubileut ai u zhvillua në një format veçanërisht të zgjeruar: 26 spektakle nga 14 vende të ndryshme. Festivali dëshmoi qartë, se nga trashëgimia jashtëzakonisht e madhe krijuese e Anton Çehovit, që përbëhet nga gati 900 vepra, si dhe më parë mbeten tejet tërheqëse kryeveprat e dramaturgjisë: pjesët teatrore “Kopshti i qershive”, “Xhaxha Vanja”, “Çajka” dhe "Tri motrat”. Por vala e re e perceptimit të Çehovit nxorri në sipërfaqe, përveç kësaj, zhanret jo skenike të krijimtarisë së tij - tregimet, novelat, ditaret dhe bile vëzhgimet “laboratorike” nga blloqet e shënimeve të shkrimtarit. Ato gjithashtu kanë filluar të interpretohen me anë të mjeteve teatrore, duke përdorur ndërkaq të gjitha variantet e mundshme dhe, siç do të dukej në vështrim të parë, të pamundshme të vënies në skenë të veprave të Çehovit: personazhet e Çehovit “folën me shikuesit” jo vetëm tradicionalisht, por përvetësuan edhe zërat operistikë, edhe plastikën e baletit, dhe bile aftësitë e cirkut. Regjizori i famshëm rus Lev Dodin premierën e vet të pjesës “Tri motrat” në skenën e Teatrit Dramatik Mallij të Peterburgut e ruajti posaçërisht për jubileun çehovian, ajo po shfaqet pikërisht këto ditë dhe do të vazhdojë të luhet në skenë deri në fund të dhjetorit: “Çehovi flet kaq natyrshëm për jetën tonë dëshpërimisht të mrekullueshme, mendon Lev Dodin, - për mospërkimin e saj tragjik me dëshirat tona dhe për atë, se sa e domosdoshme është gjatë kësaj ruajtja e besimit në vetvete, e dinjitetit njerëzor. Për të gjitha këto ai vazhdon të mbetet jo më kot, në një radhë me Shekspirin, si autori që vihet më shpesh në skenë”, - u shpreh Dodin. “Dialogu me Çehovin nuk mund të përfundojë”, komfirmon me bindje të plotë regjizori i famshëm gjerman Peter Stein: “Spektaklet çehoviane duhet të vihen rregullisht në skenë, si të paktën çdo 5-6 vjet, për rregullimin e shëndetit moral”.