“Zi dhe provokim”, shkruan botimi “Rossiskaja gazeta” në lidhje me trazirat e së shtunës në sheshin Manege në qendër të Moskës. Ngjarjet tragjike në Moskë, kur natën në të gdhirë 6 dhjetorit në një zënkë u qëllua për vdekje me armë traumatike tifozi i skuadrës së futbollit “Spartak” Egor Sviridov, shkaktuan shqetësim të madh publik, tregon botimi. Moskovitët i preokupon fakti, se shumica e të dyshuarve për vrasjen e tij, emigrantë nga Kaukazi këta, u lanë të lirë. Për të nderuar kujtimin e Sviridovit në vendin e ngjarjes u mblodhën tifozët e gjithë klubeve sportive. Nderuan kujtimin, shprehën keqardhjen e vet dhe u shpërndanë të qetë. Ndërsa në sheshin Manege disa orë më vonë nderimi i kujtimit u shndërrua në diçka krejtësisht tjetër. Gazetarët vunë re atje persona të tjerë. Pranë mureve të Kremlinit u mblodhën përafërsisht 5 mijë veta. Tubimi i tyre u kthye në përleshje masive. Trazira me përmasa të tilla Moska nuk ka parë që prej vitit 1993, kurse parullat nacionaliste buçitën fort, si kurrë ndonjëherë më parë afër mureve të Kremlinit, shkruan gazeta “Vremja novostei”. Shumë ekspertë ua ngarkojnë përgjegjësinë për këtë ngjarje organizatave ultra të djathta, të cilat manipulojnë me pasionet radikale të tifozëve. Ka shumë rëndësi që të kuptohet se me çfarë kemi të bëjmë, me një trazirë të zakonshme apo me një sulm të organizuar nacionalist, shkruan gazeta “Izvestia”.

Site WikiLeaks do të vazhdojë publikimet e tij. Botimi “Nezavisimaja gazeta” njofton, se sipas dokumenteve që u botuan në Internet, shërbimet speciale britanike i lanë të lirë vrasësit e Aleksandër Litvinenkos, në një kohë kur rusët po i kërkonin ata që para helmimit të tij. Në telegramin dërguar ambasadës së SHBA-s në Francë në vitin 2006 flitet për takimin në Paris të Koordinatorit të Departamentit amerikan të shtetit për luftën kundër terrorizmit Henry Crampton dhe përfaqësuesit special të Presidentit të Rusisë për çështjet e luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe krimit të organizuar Anatoli Safonov. Sipas të dhënave të WikiLeaks, Safonov deklaroi se agjentët rusë ishin në dijeni të disponimit nga disa persona në Londër të lëndës radioaktive polonium 210 dhe i mbanin nën survejim ata. Por në vigjilje të vrasjes zbulimi britanik i paralajmëroi ata se e ka situatën nën kontroll.

Peshkaqenin që sulmoi njerëzit në Detin e Kuq nuk do ta vrasin, por do ta “deportojnë”, shkruan botimi “Komsomolskaja pravda”. Fjalë bëhet për grabitqarin detar, i cili sulmoi njerëzit në plazhet e pikës turistike egjiptiane Sharm el Sheikh. Plazhet do të mbyllen deri sa të kapet grabitqari dhe të lëshohet në oqean. I gjithë problem qëndron në atë, se kapja dhe vrasja e dy peshkaqenëve pas sulmit mbi turistët rusë i ka alarmuar shkencëtarët që merren me ruajtjen e florës dhe faunës të zonave shkëmbore të Sharm el Sheikh-ut. Vrasja në masë bile dhe e grabitqarëve të rrezikshëm çon në prishjen serioze të harmonisë, ekuilibrit të botës së kafshëve detare dhe peshqve, thonë ata. Deti i Kuq, i shpallur si më i bukuri në botë, luan një rol jo të vogël në ekonominë e Egjiptit. Prandaj peshkaqenët duhet të trajtohen me humanizëm. Ata nuk duhet të vriten, por të “deportohen”.