Kampionati Botëror i Futbollit i vitit 2018 do të zhvillohet në Rusi. Një vendim të tillë morrën anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s në mbledhjen e tyre speciale në Zyrich. Kryeministri Vladimir Putin u nis menjëherë për në Zyrich me qëllim që të diskutojë me Presidentin e FIFA-s Joseph “Sepp” Blatter planet e përgatitjes së Kampionatit Botëror të Futbollit. “- Zonja dhe zotërinj! Kampionati Botëror i Futbollit i vitit 2018 do të zhvillohet në Rusi! “Duke votuar për Rusinë, Ju votoni për të ardhmen e futbollit”. Ne jemi të gatshëm ta zhvillojmë Kampionatin në nivelin më të lartë, - bënin thirrje anëtarët e Komitetit të Ofertës të Rusisë. FIFA ia vuri veshin thirrjes së tyre. Në luftën për Mondialin e vitit 2018 Rusia la pas vetes vendin themelues, baba të futbollit - Anglinë - dhe fuqi të tilla botërore të futbollit si Spanja e Portugalia, Belgjika e Holanda, të cilat paraqitën kërkesa, oferta të përbashkëta. Vladimir Putin falenderoi anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s për vendimin e marrë në favor të Rusisë. “- Dëshiroj të falenderoj nga zemra anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s për vendimin e marrë, për atë se ata na besuan ne zhvillimin e Kampionatit Botëror të Futbollit të vitit 2018. Një vendim i tillë, padyshim, përkon plotësisht me filozofinë e FIFA-s për zhvillimin e futbollit botëror, veçanërisht në ato rajone të botës ku është i kërkuar ky zhvillim. Në Rusi e adhurojnë futbollin, Rusia e di mirë se ç’është futbolli dhe vendi ynë i ka të gjitha kushtet për zhvillimin e Kampionatit Botëror të Futbollit-2018 në nivel me të vërtetë të denjë... Dhe unë personalisht, sigurisht, që dua të falenderoj në mënyrë të veçantë të gjithë ata që e duan sportin në vendin tonë, të gjithë adhuruesit e kësaj loje të mrekullueshme - futbollit. Sot ne kemi festë të madhe”, - tha me impresionim Vladimir Putin. Garancitë financiare dhe politike, me sa duket nga të gjtha, u bënë moment kyç gjatë bërjes së zgjedhjes nga ana e FIFA-s në favor të Rusisë. Kreu i FIFA-s Sepp Blatter është takuar shumë herë me Presidentin Dimitri Medvediev dhe Kryeministrin Vladimir Putin, të cilët i patën premtuar atij se projekti do të financohet në mënyrë të plotë. Koncepti i “Mondialit në stilin rus” është një projekt grandioz, mbi të cilin Komiteti i Ofertës pat punuar plot një viti e gjysmë. Për zhvillimin e Kampionatit Botëror të Futbollit do të ndërtohen 15 stadiume të reja supermoderne, do të shtrohen rrugë të reja, do të rikonstruktohen hotelet dhe aeroportet, do të vendoset komunikimi i shpejtë midis qyteteve. Përveç kësaj, Rusia është e gatshme të vendosë regjimin pa viza për pjesëmarrësit e Kamponatit dhe tifozët. Por më e rëndësishmja është mundësia e krijuar për miliona sportdashës rusë që të shohin me sytë e vet skuadrat më të mira të botës. Sepse futbolli në Rusi është sporti №1.