Vendimi i samitit të Këshillit Rusi-NATO, mbi realizimin e kthimit mbrapsht të ngarkesave të Koalicionit të forcave ndërkombëtare nga Afganistani në kuadrin e  garantimit të sigurisë nëpërmjet territorit të Rusisë, filloi të realizohet në jetë. Që këtej e tutje forcat e koalicionit jo vetëm që do të marrin pajisjet e nevojshme nëpërmjet këtij tranziti, por dhe do të mund ti nisin mbrapsht ato në rast se lind nevoja për këtë. Fjalë bëhet për ngarkesat me karakter, si i thonë fjalës, “jo vdekjeprurës”. Kjo është parashikuar në dokumentet e përbashkëta që u miratuan më 20 nëntor në Lisbonë. Bashkëpunimi i Rusisë dhe NATO-s në Afganistan është një nga pikat më të rëndësishme të bashkëveprimit të Moskës me Aleancën e Atlantikut të Veriut. Të dyja palët janë të interesuara për përshpejtimin e procesit të stabilizimit të gjendjes në këtë vend. Tranziti i kthimit mbrapsht nga Afganistani lehtëson në shumë gjëra plotësimin e detyrave që shtrohen përpara ushtarakëve natovianë. Por ekspertët paralajmërojnë ndërkohë, se kjo lëvizje aktive e mallrave vajtje-ardhje mund të jetë e mbarsur me një rrezik të madh edhe për Rusinë, edhe për Europën. Në kontejnerët transportues nën maskën e ngarkesave “jo vdekjeprurëse” mund të transportohet heroina afgane. Dhe kjo do të jetë thjesht e pamundur të kontrollohet pavarësisht nga të gjitha sigurimet e zyrtarëve të NATO-s. Ndaj këtij momenti tërhoqi vemendjen e radiokompanisë “Zëri i Rusisë” orientalisti rus Sergei Demidenko: “- Unë praktikisht jam mëse i bindur se ky tranzit do të shndërrohet në një nga kanalet e trafikimit të heroinës në Rusi, ndërsa më pas edhe në Europë. Meqenëse ky është një biznes jashtëzakonisht i madh e fitimprurës. Në të janë përfshirë edhe zyrtarët e lartë afganë, edhe ushtarakët afganë, dhe ka shumë mundësi, edhe përfaqësuesit e kontingjentit ushtarak të NATO-s”, - tha Sergei Demidenko. Në qoftë se do të merret parasysh fakti, se përdorimi i heroinës në botë nuk po reduktohet fare, pavarësish nga të gjitha përpjekjet e dikastereve antidrogë të shumë vendeve të botës, hapja e kanalit të ri të trafikimit të saj do ta ndërlikojë në mënyrë të theksuar situatën. Vetëm në Rusi përdorimi i opiateve për këto vitet e fundit është rritur disa herë. Rrjedhimisht evidentohet edhe rritja e numrit të njerëzve drogë-marrës. Aktualisht është krijuar një situatë e tillë, kur është bërë praktikisht i pamundur eliminimi i rrezikut kërcënues të drogës afgane. Sigurisht, askush nuk e vë në dyshim domosdoshmërinë e tranzitit të kthimit nga Afganistani. Por ai duhet organizuar në mënyrë të tillë, që çfarëdolloj tentativash për shfrytëzimin e tij për narkotrafik të parandalohehen, si i thonë fjalës, që “në djep”. Përndryshe synimet e mira mund të shndërrohen në një të keqe të madhe.