Zëri i Rusisë  

Për investitorët e huaj këto muajt e afërt do të liberalizohet aksesi në ndërmarrjet e sektorit strategjik të ekonomisë së Rusisë. Me një deklaratë të tillë doli Kryeministri rus në forumin ekonomik, të organizuar prej gazetës së autoritetshme gjermane “Sueddeutsche Zeitung” në Berlin. Në të njëtën kohë Putin theksoi, se Moska pret që vendet e Bashkimit Europian, nga ana e vet, të rreshtin së krijuari pengesa për biznesin rus në Europë. Sipërmarrësve rusë, të cilët do të dëshirojnë të investojnë kapitalet e tyre në realizimin e projekteve në territorin e Rusisë, tani nuk do tu duhen kurrfarë lejesh për këtë. Përjashtim bëjnë këtu sektorët strategjikë, ku vepron rregulli i sigurimit të lejeve për pjesëmarrjen e huaj. Por edhe këto rregulla, siç njoftoi më 26 nëntor Vladimir Putin, do të thjeshtësohen në mënyrë të qenësishme në një kohë të afërt. Ndërsa, ja, biznesi rus, ç’është për të ardhur keq, deri tani ndeshet me pengesa në rrugën drejt avancimit të vet në Europë. Barrierat, që vendosen për kompanitë e Rusisë, ushtrojnë ndikim negativ edhe mbi vetë europianët, vuri në dukje Putin: “- Kompanitë europiane, duke u përballuar me shpenzime të mëdha në zonën e euros, synojnë ta zhvendosin prodhimin e vet jashtë shtetit. Ndërsa, kur kapitalet ruse tentojnë të hyjnë në biznesin europian, atyre thjesht u mbyllin rrugën. Megjithëse për nga pikëpamja ekonomike dhe bile ajo sociale    europianët janë jashtëzakonisht të interesuar për këtë”, - shprehet Kryeministri rus. Më shpesh shkaqet e ngritjes së barrierave nga ana e autoriteteve të BE për biznesin rus janë thellësisht ekonomike, mendon Zv/kryetari i Komitetit të Dumës Shtetërore për aktivitetin sipërmarrës Vladimir Gollovnjov: “- Biznesi i vendit tonë është mjaft i ri në moshë, shumë pronarë kompanish janë edhe menaxherë aktivë. Dhe pikërisht ky agresivitet i shëndoshë, ky zjarr e entuziazëm, dëshira për të punuar jo vetëm në tregun e brendshëm, por edhe përtej kufijve të Federatës Ruse, i bën kompanitë tona me aftësi të lartë konkurruese”, - thotë Vladimir Gollovnjov. Një nga drejtimet kryesore të bashkëpunimit të Rusisë dhe BE është energjetika. Por edhe këtu punët këto kohët e fundit nuk po shkojnë dhe aq mirë. Amendamentet në Kartën Energjetike (kështu quhet Paketa e 3-të energjetike), të cilat u përgatitën nga Komisioni Europian, mund të çojnë në kufizime infrastrukturore për kompanitë energjetike dhe rritjen e çmimeve të burimeve të energjisë, mendon Vladimir Putin. Faktikisht, ky dokument kufizon aksesin e kompanive investitore në gazsjellësit, për ndërtimin e të cilëve ata investuan paratë e tyre. Sipas mendimit të Kryeministrit rus, për Bashkimi Europian do të ishte mirë të konsultohej me Moskën në çështje të tilla, me qëllim që të shmangen “situatat absurde” në këtë fushë. Veprimet e tanishme të Komisionit Europian e habisin pa masë Kryeministrin rus, i cili logjikon kështu: në qoftë se Europa heq dorë nga gazi dhe energjetika atomike, atëhere europianëve do tu duhet të shkojnë për dru në Siberi.