Shkarko audiofailin


“Deri tani strategjia e sigurisë së brendshme të BE është bazuar në qëndrimin fragmentar, të koncentruar vetëm në një drejtim. Kurse tani ne kemi ndërmend të dalim me një front unik kundër rreziqeve kërcënuese dhe sfidave bashkëkohore”. Me këto fjalë e karakterizoi Komisarja për punët e brendshme Sesilia Malstrom (Cecilia Malmström) qëllimin e “Strategjisë për sigurinë e brendshme” të Komisionit Europian për Europën e Bashkuar. Dokumenti, i cili përbëhet nga 26 faqe, përmban 41 aktivitete konkrete, të cilat do të duhet të zhvillohen brenda 4 viteve të afërta. Janë përcaktuar 5 “qëllime strategjike”: shtypja e krimit të organizuar, zmbrapsja e rrezikur kërcënues terrorist, mbrojtja e qytetarëve dhe organizatave nga sulmet kibernetike, forcimi i kontrollit në kufijtë e jashtëm të BE, dhe, së fundi, rritja e gatishmërisë për përballimin e krizave dhe katastrofave natyrore. Çdo vit Komisioni Europian do ti paraqesë Parlamentit Europian raportin, llogarinë mbi punën e bërë. Mendoj se nuk ia vlen, në këtë rast, të përmenden të gjithë hapat që duhet të ndërmerren në përputhje me dokumentin e sipërpërmendur. Thelbi i tyre është krejtësisht i qartë - konkretizimi dhe rreptësimi i të gjitha formave të kundërveprimit ndaj rreziqeve kërcënuese bashkëkohore. Në “Strategjinë” e miratuar nga Komisioni Europian flitet edhe mbi rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët. Ndër ta konkretisht përmendet vetëm një. Dhe, duhet thënë, jo ndonjë fqinj në kontinent, por “vëllai i madh” nga  bregu tjetër i Atlantikut. Ekspertët rusë, në veçanti, Igor Korotçenko, Kryeredaktori i revistës «Национальная оборона» (“Mbrojtja kombëtare”) kanë mendimin e vet në lidhje me këtë: “- Duke marrë parasysh faktin, se në një sërë rastesh qarkullimi, lëvizja e njerëzve dhe mallrave realizohet, ndër të tjera edhe nëpërmjet territorit rus, për shërbimet speciale europiane do të ishte më mirë ta koordinonin më ngushtë veprimtarinë e tyre me kolegët nga Rusia - ndoshta bile edhe deri tek zhvillimi i operacioneve të përbashkëta për kundërshtimin e terrorizmit. Në radhë të parë kjo ka të bëjë me shkëmbimin e informacionit operativ dhe vënien e njëri-tjetrit në dijeni në lidhje me këto apo ato aspekte të rreziqeve kërcënuese reciproke”, - shprehet Igor Korotçenko. Pikërisht këto ditë Komisioni për të Drejtat e Njeriut i Parlamentit Europian u rekomandoi deputetëve të kufizojnë hyrjen në vendet e BE të 60 zyrtarëve rusë, përfshirë këtu edhe përfaqësuesit e shërbimeve speciale. Ata akuzohen për bashkëfajësi në vrasjen e juristit të kompanisë britanike “Hermitage Capital” Sergei Magnitskij, të cilit, gjoja, i refuzuan dhënien e ndihmës mjekësore në dhomën e paraburgimit në Moskë. Sipas fjalëve të Korotçenkos, në rastin konkret ka vend manipulimi me faktet dhe politizimi evident, gjë kjo që nuk i shërben aspak bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit dhe rreziqeve të tjera kërcënuese. Vërtet, ky tashmë është vështim ndaj sigurisë së “brendshme” të Europës nga “jashtë”. Por ngandonjëherë me vështim nga jashtë gjërat shquhen më mirë.