Zëri i Rusisë  

Bashkëpunimi i Moskës dhe Kabulit në frontin anti-drogë do të vazhdojë, por për një punë më efektive në këtë drejtim është i nevojshëm krijimi i bazës  unike ligjore ndërkombëtare. Për këtë deklaroi Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov pas përfundimit të negociatave me homologun e vet afgan Zalmay Rasul. Kreu i MPJ të Rusisë theksoi rëndësinë jashtëzakonisht të madhe të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që u miratua në tetor të këtij viti, në të cilën narkotrafiku nga Afganistani vlerësohet si rrezik kërcënues ndërkombëtar për paqen dhe stabilitetin. Në lidhje me këtë një rëndësi të veçantë merr Konferenca e III-të Ndërkombëtare për luftën kundër rrezikut të drogës afgane, e cila do të zhvillohet në shkurt të vitit të ardhshëm. “- Në Konferencën e III-të Ndërkombëtare ne do të dëshironim të zhvillonim një bisedë të detajuar, substanciale mbi domosdoshmërinë e intensifikimit të përpjekjeve në lidhje me gjithë zinxhirin e prodhimit dhe shitjes së drogës, duke filluar me likuidimin e sipërfaqeve të mbjella me lulekuqe opiumi. Një pjesë e rëndësishme e këtyre përpjekjeve duhet të bëhet edhe puna për parandalimin e furnizimeve të prekursorëve, të cilët përdoren për prodhimin e heroinës. Moska e ngre vazhdimisht këtë problem. Ne ngulim këmbë që të fillohet, të paktën, etiketimi i prekursorëve që prodhohen në Europë. Partnerët tanë po e shqyrtojnë si shumë gjatë këtë propozim. Shpresoj që ky proces të përshpejtohet më në fund nga ana e tyre”, - deklaroi Sergei Lavrov. Ministri rus kujtoi gjithashtu, se para pak kohësh në Afganistan përfundoi operacioni ndërkombëtar me pjesëmarrjen e Rusisë dhe SHBA, si rezultat i të cilit u likuiduan 3 laboratore të prodhimit të heroinës dhe një laborator morfine. Gjatë kësaj veprimet kryesore u realizuan nga bashkëpunëtorët e repartit të destinacionit të posaçëm të ushtrisë afgane. Një bashkëpunim i tillë me autoritetet e Republikës Islamike të Afganistanit do të vazhdojë edhe më tej, shprehet me bindje të plotë Sergei Lavrov. Një kontribut me peshë në drejtimin afgan jep edhe “katërshja” e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSH) me pjesëmarrjen e Rusisë, Afganistanit, Pakistanit dhe Taxhikistanit. Rusia ka ndërmend gjithashtu të rrisë kontributin e vet në realizimin e programit special anti-drogë për Afganistanin nëpërmjet linjës së Dikasterit të OKB-së për luftën kundër drogës dhe krimit të organizuar. Aktualisht qarkullimi i narkobiznesit afgan e tejkalon deri në 5 herë buxhetin e Republikës Islamike të Afganistanit, duke kapur shumën rreth 65 miliardë dollarë në vit. Kohët e fundit Moska dhe Kabuli kanë intensifikuar bashkëpunimin e tyre edhe në drejtime të tjera. Në planet e ardhshme të Moskës hyn dhënia e ndihmës për rimëkëmbjen e 150 objekteve të ndërtuara në Afganistan më parë me ndihmën e specialistëve sovjetikë, të cilat janë me rëndësi të veçantë për rivendosjen e ekonomisë së republikës.