Zëri i Rusisë  

Ngrohja globale po vjen duke u bërë një rrezik gjithnjë e më i madh për jetën në Tokë, shprehen me bindje të plotë ekspertët e OKB-së që po merren aktualisht me përgatitjen e raportit të ri në lidhje me ndryshimin e klimës. Postulati kryesor i tij është po ai: rritja e temperaturës në Planet provokohet nga veprimtaria e njeriut. Por jo të gjithë shkencëtarët pajtohen me një shtrim, interperetim të tillë të çështjes në fjalë. Vetë fakti, se klima në Planet po ndryshon nuk shkakton kurrfarë dyshimi tashmë tek askush: rritja e temperaturës është konfirmuar nga matjet e bëra që prej shumë vitesh. Diskutimet e debatet po zhvillohen aktivisht rreth shkaqeve të kësaj dukurie. Nuk u bë përjashtim në këtë rast edhe ura telekomunikative “Moskë-Bruksel”. Pikëpamjen e zakonshme, të pranuar nga të gjithë, e bëri publike nga Brukseli Zv/Kryetari i Grupit ndërqeveritar të ekspertëve të OKB-së për ndryshimet e klimës Jean-Pascal Van Ypersele duke kujtuar gjatë kësaj, se për këto 100 vitet e fundit niveli i oqeaneve është rritur tashmë deri në 20 centimetra. Dhe në qoftë se në një kohë të afërt nuk do të përpilohet politika për klimën, e bashkërenditur nga të gjitha shtetet, atëhere në shekullin e ardhshëm ky tregues mund të arrijë deri në nivelin 50 centimetra. Ngrohja e mëtejshme e klimës do të krijojë probleme të mëdha për vendet bregdetare, kurse vapa e verës do të çojë në vdekjen masive të njerëzve. Dhe të gjitha këto, sipas mendimit të analistëve të OKB-së, janë rezultat i veprimtarisë së vetë njeriut, i cili çdo vit hedh në atmosferë rreth 30 miliardë tonë dyoksid karboni (CO2). Pjesëmarrësit rusë të urës telekomunikative nuk janë dakort me këto konkluzione. Siç vuri në dukje Drejtori i Institutit rus të Klimës Globale Juri Izrael, sasia e dyoksidit të karbonit (CO2) në atmosferë miliona vjet më parë ka qenë deri në 10-15 herë më e lartë se sa tani. E megjithatë, pavarësisht nga ky fakt, jeta në Tokë pat ekzistuar: “- Klima është një proces shumëvjeçar, kohëgjatë. Disa qindra miliona vjet më parë temperatura në Planetin tonë ishte 10-14 gradë më e lartë se sa aktualisht. Gjatë kësaj periudhe kohore ka patur ndryshime shumë të mëdha si të temperaturave, ashtu dhe të sasisë së dyoksidit të karbonit, i cili i shërben ngrohjes së klimës. Në linjën e ndryshimit gradual të klimës për një periudhë 10.000 vjeçare sigurisht ka dhe kulme të caktuara oshilacionesh - ngritje dhe ulje të temperaturës. Akademiku rus Juri Izrael u pajtua me mendimin, se temperatura në Planet për këto 50 vitet e fundit është rritur në mënyrë të ndjeshme. Por konfirmon me bindje të plotë megjithatë, se është e pamundur që kjo dukuri të shkaktohet për faj të veprimtarisë së njeriut.