Zëri i Rusisë  

Për publikun e gjerë emri i monarkut të fundit kinez Pu Yi u bë i njohur kryesisht falë filmit të Bernardo Bertolucci-t “Perandori i fundit”.

Perandor Pu Yi u bë kur ishte vetëm 3 vjeç. Por shumë shpejt pas kësaj, në vitin 1912 revolucioni e rrëzoi dinastinë Qing. Gjatë kësaj vogëlushi Po Yi ruajti megjithatë titullin e Perandorit dhe të drejtën për të jetuar në të ashtuquajturin "Qytet i Ndaluar" në Pekin.

Ceremonia e të ngrënit të Perandorit të vogël kërkonte shpenzime të mëdha dhe përkushtim të veçantë. Mjaftonte të thoshte Pu Yi “Të shtrohet tryeza”, kur aty për aty dilte një procesion i tërë solemn i përbërë prej disa dhjetra eunukësh, të cilët mbanin në duar tavolinat dhe një numër të madh kutish të kuqe të lyera me vernik e të zbukuruara me drakonë të artë të vizatuar.

Zakonisht shtroheshin dy tavolina me gjellët kryesore. Tavolinën e tretë me samovarin kinez e vinin vetëm në dimër. Përveç kësaj, ishin edhe 3 tavolina të tjera me kuleçë të ëmbël të gatuar me qumësht, gjalpë dhe vezë, oriz, çorba të ndryshme. Në një tavolinë të vogël, të veçantë, servireshin perime turshi. Në çdo pjatë e në çdo filxhan vendosej nga një plakëz argjendi, me anën e së cilës provohej në mos ishte vallë i helmuar ushqimi. Për tu siguruar akoma dhe më mirë përpara se të servireshin në tryezë gatimet i provonte eunuku.

Menuja e Perandorit të vogël përbëhej nga rreth 30 gatime: pulë e pjekur me kërpudha, rosë me salcë, mish lope apo viçi i gatuar në avull, të brendshme pule të ziera, fileto mishi me lakër, çomlek qengji, mish qengji i pjekur me spinaq dhe dhjathë soje, mish i pjekur me lakër të gatuar në avull, file mishi qengji me rrepë (rrikë), fileto rose e buburitur (e zier me pak zjarr) me kastravecë deti (lat. holothuroidea) në salcë, kërpudha të skuqura, fileto mishi me filiza bambuje, byreçka me petë të holla, perime të ziera në salcë të ëmbël, por pak të thartë, lëng mishi e kështu me radhë...

Në fakt, të gjitha këto gjëra perandori sigurisht nuk i hante - ushqimi i përgatitur më parë (meqenëse ai duhej të servirej në mënyrë të rrufeshme!) pas disa orësh pritjeje dhe ngrohjesh të herëpashershme i humbiste të gjitha vetitë e veta të dobishme, mineralet dhe shijen e vet.

Faktikisht, ajo luante më tepër rol dekorativ. Ndërsa në të vërtetë e shuante urinë Pu Yi me ato ushqime, kryesisht ëmbëlsira, që i sillte atij çdo ditë perandoresha. Menjëherë sapo mbushi të 18-at Pu Yi u rrëzua përfundimisht nga froni, u zhvesh nga të gjithë titujt, u dëbua me gjithë oborrin e vet nga “Qyteti i Ndaluar” dhe u shpall qytetar i thjeshtë i Republikës. Monaku i ri i përmbysur nga pushteti shumë shpejt ra nën ndikimin e japonezëve, të cilët e shfrytëzuan atë për të krijuar në tokën kineze shtetin marionetë Mançukuo (Manchukuo), në krye të të cilit vunë Pu Yi që shquhej për mungesë force karakteri. Monarku, të cilit japonezët nuk i lejonin të përzihej në punët politike shtetërore, çohej vonë nga gjumi, mëngjesin e hante nga mesdita e deri në orën 13.00, ndërsa darkën nga ora 21.00 e deri më 23.00.

Pu Yi ishte i prirur ndaj praktikimit të Budizmit: si rrjedhojë u shndërrua me kalimin e kohës në vegjetarian të bindur, të patundur, duke arsyetuar, se mishi është rezultat i transformimit të të afërmve dhe të parëve të tij. Në gusht të vitit 1945 ekzistencës së shtetit i Manchukuo i erdhi fundi, ndërsa desanti sovjetik e zuri rob perandorin.

Pu Yi kaloi disa vjet në një kamp burgimi në Bashkimin Sovjetik. Në Çita PU YI për herë të parë provoi ujin mineral sovjetik, i cili fillimisht nuk i pëlqeu, por që më pas u bë pija e tij e preferuar. Perandorin dhe njerëzit e rrethit të tij i ushqenin, siç shkruante ai më pas në kujtimet e veta, 3 herë në ditë “me gjellë të ushqyeshme, të bollshme ruse”. Në vitin 1950 Pu Yi iu dorëzua autoriteteve të Republikës Popullore të Kinës. Atje atë e dërguan në kamp riedukimi. Pas lirimit ish Perandori u vendos me banim sërish në Pekin, ku për një periudhë kohe punoi në kopshtin botanik, ndërsa më vonë si arkivist në bibliotekën kombëtare.