Shkarko audiofailin


Në kuadrin e takimit të zhvilluar para pak ditësh në Baku të kryetarëve të shteteve të vendeve pranëkaspike presidentët e Rusisë dhe Kazakistanit, përkatësisht Dimitri Medvediev dhe Nursulltan Nazarbajev, diskutuan çështjet që kanë të bëjnë me përgatitjen e zhvillimit të samitit të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (OSBE). Ai do të zhvillohet më 1-2 dhjetor në Astana - kryeqytetin e Kazakistanit, i cili është këtë vit vend kryesues në OSBE. Tema e përgatitjes për forumin e OSBE-së ishte një ndër më të rëndësishmet edhe gjatë takimit të zhvilluar më 21 nëntor në Nurenberg midis Kreut të MPJ të Rusisë Sergei Lavrov dhe homologut të tij gjerman Guido Westerwelle. Kurse në vigjilje problemet e lidhura me përgatitjen e samitit të pritshëm i diskutoi në Lisbonë me një sërë liderësh botërorë Presidenti i Kazakistanit Nursulltan Nazarbajev. Ai u ftua atje për pjesëmarrje në mbledhjen e Këshillit të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Duke gjykuar nga të gjitha, tema e rolit të OSBE-së në kushtet e rreziqeve e sfidave të reja në Europë dhe në planet, në tërësi, sërish po del në një nga vendet e para në rendin e ditës të politikës botërore. Zor se mund të llogaritet se sa heshta politike janë thyer rreth kësaj organizate gjatë periudhës së kaluar. Thelbi i pretendimeve që shfaqen në adresë të saj konsiston në atë, se, sipas fjalëve të Kryetarit të Komitetit të Dumës Shtetërore të Rusisë për çështjet ndërkombëtare Konstantin Kosaçov, kjo organizatë vitet e fundit po merret jo dhe aq me sigurinë, se sa me monitorimin e zgjedhjeve në vendet “joperëndimore”. Para së gjithash, në Rusi dhe në hapësirën postsovjetike. Si përfundim, venë në dukje shumë politikanë dhe ekspertë, “vegimi, vizioni i Parisit” për ta parë Europën si një hapësirë të pandarë sigurie vazhdon të mbetet, si dhe më parë, vetëm pikësynim dhe jo realitet. Sipas mendimit të ekspertit rus të Institutit të Europës Vlladisllav Bjellov: “- OSBE-ja duhet vlerësuar si element i strukturës së sigurisë, e cila aktualisht përbëhet jo vetëm nga OSBE-ja, por edhe nga NATO, Organizata e Traktatit mbi Sigurimin Kolektiv dhe struktura të tjera. Ndoshta, e meta më e madhe e OSBE-së është vështirësia e marrjes së vendimeve, bashkërendimi, koordinimi i hapave të përbashkët. Përpjekjet e kësaj organizate, ç’është për të ardhur keq, janë të pamjaftueshme për garantimin e sigurisë komplekse në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Prandaj NATO dhe platforma të tjera, për nga pikëpamja e Rusisë, duhet të bashkëveprojnë me OSBE-në”, - tha  Vlladisllav Bjellov. Sipas mendimit të Moskës, OSBE-ja luan tani për tani një rol mjaft të dobët në krijimin e arkitekturës së sigurisë europiane. Nëse do të arrijë ta forcojë këtë rol të sajin samiti i pritshëm në Astana, do të bëhet e qartë në një kohë fare të afërt.