Më 17 nëntor në Moskë do të hapet konferenca me temë  “Objektet e trashëgimisë kulturore në shoqërinë bashkëkohore”, kushtuar 20 vjetorit të përfshirjes së Kremlinit dhe Sheshit të Kuq të kryeqytetit rus në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. “Çdo qytetar rus ka qenë ndonjëherë ose ëndërron të vizitojë Kremlinin, në fakt po ashtu si dhe çdo turist i huaj”, - konfirmon profesori i Shkollës së Lartë Ekonomike, anëtari i Këshillit të Federatës të Rusisë Andrei Hazin: “- Cili vend për qytetarin rus mishëron Atdheun e tij? - shtron pyetjen Profesori dhe aty për aty përgjigjet: sigurisht, Kremlini i Moskës. Kremlini është vendi i zhvillimit të historisë ruse, por në të njëjtën kohë edhe monument i mrekullueshëm arkitekturor. Mua më duket, se çdo njeri që ka vizituar Kremlinin ruan në shpirtin e vet një pjesëz të Rusisë”, -tha Andrei Hazin. Ka në Rusi edhe njerëz të tillë të cilëve i ka ecur shumë fati: ata çdo ditë mund të kënaqin syrin me mrekullitë e Kremlinit të Moskës, për shembull, bashkëpunëtorët dhe Drejtoresha e Muzeumeve të Kremlinit të Moskës Elena Gagarina (e bija e kozmonautit të parë rus Juri Gagarin). “Kremlini filloi të ndërtohej që në shekullin e XIII-të, më pas ai është rindërtuar dhe ripërtërirë disa herë, pa rreshtur së qeni gjatë kësaj ansambël unikal arkitekturor”, - tregon Elena Gagarina: “- Të gjithë e dinë fort mirë, se Kremlini i Moskës është rezidenca e Presidentit të Federatës Ruse, se është qendra e pushtetit ku janë përqendruar vlerat kryesore historike të shtetit tonë, ai është qendra fetare (sakrale) e vendit dhe muze. Muzeu ekziston në territorin e Kremlinit që nga viti 1806 dhe u krijua me dekret të Perandorit Aleksandri i I-rë. Para kësaj, për një periudhë shumë të gjatë Kremlini ka qenë vendi i ruajtjes së thesarit dhe carët rusë i demonstronin me qejf të madh mysafirëve të vet sendet e çmuara, të cilat koleksionoheshin nga ata ose që i dhuroheshin atyre. Kremlini i Moskës për shumë shekuj me radhë ka qenë zemra e Rusisë, - vazhdon më tej Elena Gagarina. - Këtu kanë ndodhur ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme të historisë ruse: kurorëzimet e carëve, përshpirtjet e monarkëve të vdekur, festimi i fitoreve, pritjet e ambasadorëve”, - tregon Elena Gagarina. Kremlinin e Moskës të ditëve tona banorët e parë të tij, ndoshta, zor se do të mund ta njihnin. Por për njerëzit bashkëkohorë, kudo që të jetojnë ata, ai është një nga objektet më të njohura të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.