Shkarko audiofailin


Do të dukej në vështim të parë sikur vetëm fare para pak kohësh në Bruksel mbretëronte frymëzimi, entuziazmi i madh në lidhje me perspektivat e ndritura që duhej të hapte përpara BE Traktati i Lisbonës. Kjo kishte të bënte, siç mendonte shumica, ndër të tjera edhe me shpërndarjen më demokratike të plotfuqishmërive e kompetencave pushtetore. Tani euforia e atëhershme atje ka rënë në mënyrë të ndjeshme. Vendin e saj e kanë zënë akuzat dhe dyshimet e ndërsjellta. Ja vetëm disa nga njoftimet e këtyre ditëve të fundit. Gjermania dhe Britania e Madhe me mbështetjen e grupit të vendeve skandinave dolën kundër synimeve të BE, siç mendojnë ato, për të uzurpuar procesin e marrjes së vendimeve. Megjithëse Traktati i Lisbonës e rriti rolin e Parlamentit Europian në përpunimin e projekt ligjeve, ai i dha njëkohësisht shumë kompetenca edhe Komisionit Europian. Siç u shpreh politologu francez Daniel Gegen (Daniel Geugeun), Komisioni Europian përfundoi procesin e “rrëmbimit të pushtetit” dhe po i merr vendimet e veta në “kutinë e zezë”, të fshehur nga sytë e botës. Në mënyrë jo më pak të ashpër u shpreh edhe Kancelarja gjermane Angela Merkel gjatë fjalës së marrë para pak kohësh në “Kolegjin Europian” në qytetin belg Bruges. Sipas fjalëve të saj, në Europë po evidentohet “mënyra e të menduarit taktik”. Anëtarët e klubit europian janë “pjesa konstruktive” e BE dhe jo “kundëragjentë”, vuri në dukje Angela Merkel. Meqë ra fjala, shtoi ajo, Këshilli Europian është gjithashtu pjesë e BE. Pas disa ditësh Kryetari i Këshillit të Europës Herman Van Rompej (Herman Achille Van Rompuy) “e falenderoi” në formë mjaft origjinale zonjën Kancelare për këtë mbështetje. Gjatë kohës së qëndrimit të vet në Berlin me ftesë të fondeve të Konrad Adenauer-it dhe Robert Bosch-it, ai i vlerësoi me skepticizëm hapa të tillë si takimi i paradokohshëm i Merkel-it dhe Sarcozy-së në Deauville dhe u shpreh kundër amendamenteve të propozuara prej tyre në Traktatin e Lisbonës. Ndërkohë nga Varshava erdhi njoftimi mbi atë, se Kreu i MPJ të Polonisë Radosllaw Sikorski hedh poshtë në mënyrë kategorike propozimin e homologut të tij italian Franco Frattini mbi krijimin brenda BE të njëfarë “grupi këshillimor avangardë” në përbërjen e “G-6”, në të cilin të mund të hynte edhe Polonia. Po sa serioze janë këto shpërthime pasionesh? Nikollai Kaveshnikov, Shefi i degës së studimit të problemeve të eurointegrimit të Institutit të Europës, nuk është aspak i prirur për dramatizimin e situatës. “Shkëmbime të tilla zjarri” (sherre e grindje) ka patur dhe do të ketë gjithmonë, mendon ai. Qëllimi i BE konsiston jo në atë që të arrijë, sipas fjalëve të tij, njëfarë “miqësie idealiste”, por ti shërbejë gjetjes së rrugëzgjidhjeve të pranueshme për të gjithë të problemeve ekzistuese. Një tjetër ekspert nga po ai Institut Aleksandër Strellkov vuri në dukje edhe një anë tjetër të problemit: “- Ndoshta në një pjesë të establishmentit tonë edhe flitet për dobësitë e BE, mbi atë se së shpejti ai do të shkatërrohet. Por këto janë vetëm fraza të përgjithshme. Unë nuk mendoj se kjo do të pasqyrohet seriozisht në marrëdhëniet tona me Bashkimi Europian”, - tha Aleksandër Strellkov. Ndërkohë në BE po shpërthen edhe një vatër tjetër pasionesh - debatet rreth buxhetit për vitin 2011. Interesant, kush do ta thotë kësaj here fjalën e fundit në “Europën e madhe”?