Kolona e kamionëve të ngarkuar me mbetje radioaktive mbërriti në depon e ruajtjes së tyre në qytezën Gorleben të Saksonisë së Poshtme (Niedersachsen). Ajo mbërriti në destinacion me 24 orë vonesë për shkak të protestave masive të të “gjelbërve” dhe qytetarëve të thjeshtë. Aktivistët vunë në përdorim si mjet lufte “bllokadën e të ulurit” - ata u ulën në akset automobilistike dhe në  shinat e rrugëve hekurudhore. Policia u detyrua ti largojë me forcë ata prej andej dhe jo rrallëherë protestat paqësore u shndërruan në përleshje me ruajtësit e rendit. Sipas të dhënave të policisë u arrestuan rreth 1 mijë demonstrues.