Shkarko audiofailin


Po fillon endspiel i “lojës së madhe” të NATO-s në Afganistan. Në këtë konkluzion arriti botimi britanik “The Independent”. Dhe ky endspiel (gjer. loja finale e shahut), sipas fjalëve të saj, do të luhet me pjesëmarrjen e Rusisë. Siç konfirmon gazeta, mbi gatishmërinë e Moskës për ti dhënë ndihmë Aleancës në çështjen e përfundimit me sukses të misionit të saj afgan Presidenti rus Dimitri Medvediev do të deklarojë në mbledhjen e pritshme të Këshillit Rusi-NATO, e cila do të zhvillohet në mes të nëntorit në Lisbonë. Sipas njoftimeve të një gazete tjetër britanike “The Guardian”, në vigjilje të samitit të Aleancës në Lisbonë në Bruksel po diskutohet aktivisht çështja që ka të bëjë me pjesëmarrjen e Rusisë në fushatën afgane. Botimi citon fjalët e Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Anders Fogh Rasmussen, se samiti i pritshëm mund të shënojë “fillimin e etapës së re në marrëdhëniet e Bllokut me Rusinë”. Ndër të tjera edhe në çështjen e zgjidhjes së problemit afgan. Rusia tashmë dha pëlqimin e saj për ti furnizuar ushtrisë afgane një parti helikopterësh të vet, të cilët janë më të përshtatshëm për të vepruar në kushtet specifike gjeografike të këtij vendi. Në takimin në Lisbonë, siç njoftoi Përfaqësuesi i përhershëm i Federatës Ruse pranë NATO-s Dimitri Rogozin, do të bashkërenditen detajet konkrete të kësaj marrëveshjeje, duke përfshirë edhe trajnimin e pilotëve dhe përgatitjen e specialistëve afganë për kryerjen e shërbimeve teknikës së sipërpërmendur. Janë bërë edhe hapa të tjerë për tu dalë përpara partnerëve perëndimorë. Nga njëra anë, Përfaqësuesi i përhershëm i Federatës Ruse pranë OKB-së Vitali Çurkin u bëri thirrje këto ditë trupave të NATO-s në Afganistan për të rreptësuar taktikën e luftës kundër terrorizmit dhe narkobiznesit, meqenëse ajo nuk po sjell efekt evident. Në tërësi ekspertët, ndër të cilët edhe Redaktori ekzekutiv i gazetës «Независимое военное обозрение» (“Vëzhgimi i pavarur ushtarak”) Viktor Litovkin, pajtohen plotësisht me mendimin e kolegëve të tyre britanikë në lidhje me faktin e fillimit të endspiel-it (gjer. loja finale) afgan. “- Edhe NATO, edhe Shtetet e Bashkuara u bindën, më në fund, në kotësinë e përpjekjeve të veta për mbjelljen e filizave të  demokracisë në Afganistan. Aq më tepër me anë të rrugës ushtarake. Ka vend edhe tentativa për tërheqjen e Rusisë në zgjidhjen e këtyre problemeve. Por ekziston një moment principial megjithatë. Rusia shprehet e gatshme të japë gjithfarë ndihme maksimale në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar në Afganistan, por ushtarët e vet ajo nuk do ti dërgojë kurrsesi atje. Në Lisbonë, mendoj unë, Presidenti ynë do të deklarojë për këtë në mënyrë të qartë e të vendosur”, - u shpreh Viktor Litovkin. Me thirrjen drejtuar Rusisë për ndihmë koalicioni perëndimor pranoi, se, në fakt, u gjend në qorrsokak në Hindu Kush. Është mjaft interesant në lidhje me këtë pasazhi i botimit “The Independent”, i cili i bën thirrje udhëheqjes së Rusisë për të mos rënë pre e “ninullave të ëmbla” të NATO-s. Sepse radhët e muxhahidinëve, të cilët patën luftuar 20 vjet më parë kundër rusëve, kujton gazeta, kanë ardhur duke u rritur në mënyrë të ndjeshme pikërisht falë përpjekjeve të zellshme të CIA-s amerikane. Në Moskë, sigurisht, e kanë mbyllur njëherë e përgjithmonë faqen e asaj lufte të largët afgane. Në fakt, duhet menduar, se edhe nuk e kanë harruar atë.