Viktor Çernomirdini, i cili ishte kryeministër i Rusisë në vitet 90-të, që ishin më të vështirat në historinë e re ruse, u përcoll sot për në banesën e fundit në një nga varrezat qendrore të Moskës. Ceremonia e funeralit publik, e cila u zhvillua në mëngjes, mblodhi udhëheqjen e shtetit, si dhe gjithë elitën politike të vendit. Presidenti Dimitri Medvediev dhe Kryeministri Vladimir Putin qëndruan në vendin e nderit, afër arkivolit të Çernomirdinit. Më vonë u zhvillua ceremonia kishtare e lamtumirës së fundit, pas përfundimit të saj arkivoli me trupin e Çernomirdinit nën tingujt e këmbanës u vendos mbi një top. Nën shiun e imët dhe nën tingujt e trishtuar të orkestrës ushtarake, që shoqëronte nga pas arkivolin, ecnin shumë njerëz. Atë e zbritën në banesën e fundit nën tingujt e breshërisë të armëve. Dhe sipas traditës ruse çdo person i pranishëm hodhi mbi të nga një grusht dhe.