Uniteti Kombëtar është baza e ekzistencës dhe zhvillimit të shtetit multinacional rus, deklaroi Presidenti i Rusisë Dimitri Medvediev gjatë kohës së pritjes solemne të organizuar në Kremlin me rastin e Ditës së Unitetit Kombëtar. Kryetari i shtetit u dorëzoi dekorata shtetërore qytetarëve të shquar rusë si dhe shtetasve të huaj që kanë dhënë një kontribut me peshë në forcimin dhe zhvillimin e lidhjeve kulturore me Rusinë. Dimitri Medvediev kujtoi, se parimi i unitetit kombëtar është përforcuar në Kushtetutën e vendit. Në të vihet në dukje se populli rus është i lidhur me një fat të përbashkët. Ndërsa festa që kremtohet tani u bë një eveniment i madh historik në jetën e atyre njerëzve që e duan dhe e respektojnë Rusinë, që flasin rusisht dhe vlerësojnë kulturën ruse, theksoi Presidenti: “- Uniteti Kombëtar është për ne jo vetëm një metaforë e bukur, e goditur, por edhe një simbol i veçantë. Ai është një vlerë e padiskutueshme, bazë e ekzistencës dhe zhvillimit të shtetit tonë të ndërlikuar, multinacional, multikonfesional. Historia jonë e pasur është e ngjizur me tradita të shumta, me doke e zakone kulturash të ndryshme të kombit tonë shumëgjuhësh e me larmi të madhe fizionomish”, - tha Dimitri Medvediev. Presidenti rus nënshkroi dekretin mbi dhënien e titullit të nderit “Qytet i lavdisë ushtarake” Vladivostokut, Tverit dhe Tihvinit. Këto qytete e merituan titullin e nderit “për burrërinë, qëndrueshmërinë dhe heroizmin masiv të shfaqur prej mbrojtësve të qytetit në luftën për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut”. Në Ditën e Unitetit Kombëtar Lideri rus u dorëzoi dekorata të larta shtetërore figurave të shquara publike ruse dhe të huaja. Midis të dekoruarve është edhe këngëtarja e famshme franceze Mireille Mathieu, Presidenti i Lidhjes së bashkatdhetarëve rusë në Gjeorgji Valeri Dublinskij, pedagogia e katedrës së gjuhës ruse dhe sllavistikës të Universitetit të Dublinit Sara Smit dhe shumë të tjerë. Dekorata nga dora e vetë Presidentit morën edhe mësuesit rusë. Sepse janë pikërisht ata që krijojnë përfytyrimin mbi qëllimet e zhvillimit shpirtëror dhe mbi përkatësinë e fatit të përbashkët me kombin unik e të pandarë tek qytetari bashkëkohor rus. Dita e Unitetit Kombëtar është një festë e re mbarëkombëtare, e cila e merr zanafillën e vet nga historia e moçme e vendit. Ajo u bë zyrtarisht ditë pushimi që nga viti 2005, ndërsa kremtohet kjo festë për nder të përfundimit të periudhës së Turbullirës - çlirimit të Moskës prej pushtuesve polakë.