Më 4 Nëntor në Rusi kremtohet Dita e Unitetit Kombëtar. Kjo festë shtetërore simbolizon besnikërinë ndaj amaneteve të të parëve. Pothuajse 4 shekuj më parë, pasi kapërcyen periudhat e përçarjes dhe trazirave, rusët mbrojtën pavarësinë e vendit në luftën kundër pushtuesve të huaj dhe në Kuvendin mbarëpopullor përcaktuan fatin e mëtejshëm të Atdheut sovran. Shembulli i tyre edhe sot e kësaj dite dëshmon për atë, se e ardhmja e vendit varet nga uniteti qytetar dhe solidariteti i popullit.

Në vitin 1612 e gjithë Rusia përfaqësonte në vetvete një fushë të madhe beteje. Pjesën më të madhe të territoreve të saj perëndimore e patën pushtuar fqinjët luftëdashës. Moska ishte asaj kohe e okupuar prej pushtuesve polakë. Shteti unik rus u shpërbë, erdhën në pushtet drejtues të shumtë të rremë, mashtrues. Vendi u ndodh buzë asgjësimit total, tregon Drejtori i Institutit të historisë ruse Andrei Nikollajeviç Saharov: “- Në atë kohë në kushtet jashtëzakonisht të rënda të kataklizmave historike, përçarjes, shkretimit e zbrazëtisë shpirtërore, degradimit moral të shoqërisë, tradhëtisë, lakmisë, makutërisë, ndjekjes së interesit vetiak ngritën krye forcat më të devotshme, më të mira të popullit. Forcat e dala nga gjiri i fshatarësisë, shtresës së tregtarëve dhe industrialistëve, çifligarëve dhe rrethi i kniazëve (princave) - gjithë ata për të cilët ishte e shtrenjtë toka ruse, që jetonin jo vetëm për hir të interesave të veta egoiste. Të gjithë këta njerëz u ngritën si një trup i vetëm. Ky ishte populli i rrebeluar. Dhe populli në krye me përfaqësuesit e vet më të guximshëm, më të spikatur - Mininin, Pozharskin dhe Trubeckoin, i cili nuk duhet lënë kurrsesi në harresë, sepse ishte gjithashtu njëri nga themeluesit e formacioneve ushtarake vullnetare që u krijuan në mbështetje të ushtrisë së rregullt, filloi luftën e vet kundër okupatorëve. Këta ishin njerëzit që shpartalluan pushtuesit e huaj. Ata e donin Atdheun e tyre dhe e shpëtuan atë prej zgjedhës së huaj”, - tregon Andrei Nikollajeviç Saharov.

Më 4 nëntor të vitit 1612 forcat e kryengritjes popullore çliruan Moskën prej okupatorëve polakë. Pas disa muajsh në Kuvendin e Zemskut, i cili u zhvillua në Katedralen Uspenskaja të Kremlinit, nga përfaqësuesit e të gjitha shtresave u zgjodh monarku rus dhe u hodhën themelet e lulëzimit të fuqishëm të ardhshëm të shtetit. Që nga mesi i shekullit të XVII-të për nder të ditës së çlirimit të kryeqytetit në Rusi çdo vit më 4 Nëntor kremtohej festa e Ikonës së Hyjlindëses së Kazanit, me të cilën regjimentet ruse hynë në Moskën e çliruar prej okupatorëve. Në shekullin e XX-të, gjatë kohërave të drejtimit të pushtetit sovjetik, tradita e festimit mbarëkombëtar u ndërpre. Kjo datë është shënuar aktualisht në kalendar si Dita e Unitetit Kombëtar.

Por sondazhet e opinionit publik dëshmojnë megjithatë se festa nuk është bërë ende mbarëpopullore në kuptimin e plotë të kësaj fjale, meqenëse një pjesë e shoqërisë, si dhe më parë, vazhdon ti japë preferencë festës sovjetike të 7 Nëntorit - Ditës së Revolucionit të Madh Socialist të Tetorit të vitit 1917. Liderët fetarë të Rusisë, me iniciativën e të cilëve u ringjall tradita e festimit të 4 Nëntorit, u bënë thirrje bashkatdhetarëve ta shndërrojnë atë në “Ditë të veprave të mira”, në të cilën njerëzit e kombësive, feve dhe bindjeve të ndryshme duhet ta perceptojnë veten si një popull unik me fat të përbashkët historik dhe të ardhme të përbashkët të Atdheut të vet.