Presidenti Dimitri Medvediev mbërriti sot  në ishujt Kurilet Jugore. Ai u bë një nga kryetarët e parë të shtetit rus që vizitoi këto ishuj të Lindjes së Largët. Aeroplani presidencial u ul në ishullin Kunashir, ku jetojnë rreth 8 mijë veta. E gjithë vizita zgjati tre orë e gjysëm. Gjatë kësaj kohe Kryetari i shtetit vizitoi ndërmarrjet vendase, bisedoi me banorët, inspektoi çmimet në dyqane dhe bleu për rrugë një peshk të vogël me peshë rreth 300 gr që rusisht quhet Korushka (lat. Osmerus eperlanus).  Presidenti shprehu besimin, se me kalimin e kohës kushtet e jetesës në ishujt Kurile do të bëhen po të tilla, si dhe në Rusinë Qendrore: “Me qëllim që standartet sociale të jetesës në këta ishuj të përkojnë me ato ruse, është e domosdoshme që shërbimet e ofruara banorëve të këtij skaji të largët të vendit, të afrohen me ato të mundshme që ekzistojnë në qarkun e Sahalinit në veçanti, dhe në vend në përgjithësi. Është e domosdoshme që atje të shkojnë për të punuar specialistë. Nevojitet një program i tërë për ndërtimin e shtëpive të banimit, me qëllim që ata që vijnë në Kurile të kenë kushte të mira jetese, të kenë stimul real për të qëndruar”, - u shpreh Presidenti. Ndërkaq, vizita e Presidentit të Rusisë në ishullin rus u bë shkak për deklarata të zhurmshme në Japoni. Për shkak të konfliktit që ka të bëjë me përkatësinë e ishujve Kurilet e Jugut Moska dhe Tokio që nga viti 1945 nuk mund të nënshkruajnë dot Traktatin e paqes. Ambasadorit të Rusisë në MPJ të Japonisë iu dorëzua nota e protestës. Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov deklaroi në lidhje me këtë fakt, se vizita të tilla nuk hyjnë në kompetencat e dikasterit të tij: “Unë merrem me politikën e jashtme, kurse ishujt Kurile janë territor i Federatës Ruse dhe i përkasin territorit të brendshëm të vendit. Presidenti i planifikon në mënyrë të mëvetësishme udhëtimet e veta nëpër vend”, u shpreh Segei Lavrov. Duam t’ju kujtojmë, se pas disfatës së Japonisë në Luftën e II-të Botërore ishujt Kunashir, Iturup, Habomai dhe Shikotan hynë në përbërjen e territorit sovjetik. Japonia nuk është dakort me këtë. Ekspertët shprehen, se për nga pikëpamja e të drejtës ndërkombëtare këto territore nuk janë zona të diskutueshme: në vitin 1956 u nënshkrua Deklarata e Përbashkët midis Rusisë dhe Japonisë, në të cilën thuhet, se ishujt Haboman dhe Shikotan mund ti dorëzohen Japonisë, në qoftë se ajo do të heqë dorë nga pretendimet e tjera terrororiale. Kurse Japonia kërkon që asaj ti kthehen të katër ishujt. Në kërkim të një zgjidhjeje konstruktive të problemit në fjalë Rusia i propozon Japonisë eksplorimin, shfrytëzimin e përbashkët të këtyre territoreve. Në fund të shekullit të kaluar Rusia dhe Japonia filluan punën për përpunimin e projekteve të përbashkëta, ndërkohë që pretendimet territoriale si zor të ndihmojnë në bërjen realitet të këtyre planeve.