0Para revolucionit Lenini i pat gjetur bukës një përdorim të posaçëm. Janë gjerësisht të njohura tregimet mbi atë, se si i ndodhur në ngujimin e burgut carist Lenini fshehurazi shkruante tekstet revolucionare me qumësht, duke e shfrytëzuar atë si bojë të padukshme. Ndërsa kallamaren ai e bënte me tul buke. Sapo dukej gardiani revolucionari e fuste atë në gojë. Një ditë atij iu desh të gëlltiste plot 6 kallamare të tilla prej tuli buke.

Pasi erdhi në Shën Peterburg në vitin 1893, Vladimir Uljanov i privuar për herë të parë në jetën vet nga komoditetet e familjes, detyrohej të hante bukë në mensa. Dhe nuk të habit aspak fakti se ai u sëmur me katarr stomaku (gastrit). Këtë sëmundje ai u detyrua ta kurojë në një nga qendrat turistike-kurative zvicerane.

Në vitin 1895 Lenini arrestohet. Por, siç dëshmojnë njerëzit e rrethit të afërt të tij, për 1 vit qëndrimi në burg stomaku i tij ishte në gjendje shumë më të mirë, se sa një vit më parë kur ai ndodhej në liri. Nëna i përgatiste dhe i sillte 3 herë në javë pako me ushqime duke u udhëhequr gjatë përgatitjes së tyre nga dieta e caktuar për të prej një specialisti të njohur zviceran. Përveç kësaj, Lenini mund të porosiste në burg kundrejt pagesës drekën dhe qumështin.

Një ndikim të qenësishëm pozitiv në shëndetin e Leninit ushtroi mënyra e shëndoshë, korrekte e jetesës që bënte ai. Çdo shkelje regjimi (dreka e vonuar, për shembull) e nxirrte nga binarët fare atë. Në vitet e emigracionit në familjen e tij u vendos një rregull i rreptë në orarin e të ngrënit. Drekën dhe darkën Lenini ulej ti hante në orën e caktuar.

Në emigracion, duke lëvizur nga një vend në tjetrin, Lenini dhe bashkëshortja e tij Nadiezhda Krupskaja, vendoseshin për banim të përkohshëm në pensione të lira (hotel me të ngrëna e të pira). Gjatë kësaj Lenini ngulte këmbë gjithmonë që gjatë kohës së drekës dhe darkës në pension ti hanin të gjitha gjërat që servireshin në tavolinë. E motivonte ai këtë me logjikën, se pronarët e pensionit mund të mendojnë se japin si shumë ushqim po të lihet ai në pjatë dhe atëherë mund të zvogëlojnë racionin. Në një nga pensionet zvicerane, ku u vendos me banim Lenini, i gjithë ushqimi përgatitej mbi bazë të përdorimit të qumështit. Në mëngjes servirnin në tryezë kafe me qumësht dhe bukë me gjaplë e me djathë, por pa sheqer. Për drekë supë me qumësht dhe si pjatë e dytë ndonjë gatim me gjizë. Në vend të ëmbëlsirës servirej në tryezë një gotë qumësht. Në mesditë i jenin atyre përsëri kafe me qumësht, në darkë sërish ndonjë gatim po me bazë qumështi. Në këtë ushqim Lenini dhe gruaja e tij shtonin pemëla mjedre (manaferrë e butë) dhe boronice, të cilat i mblidhnin vetë gjatë shëtitjeve rreth e rrotull pensionit.

 

Gjatë të jetuarit në qytete familja e Leninit ushqehej në mënyrë shumë të thjeshtë, modeste dhe hante pak. Supën zakonisht e bënin me kubikë vegjetarianë supe të tretura në ujë të valuar - avantazh në këtë rast ishte përgatitja e shpejtë. Si pjatë e dytë gatuheshin copa mishi ose qofte. Parimi ishte i tillë: të gatuhej vetëm për të ngrënë një herë, me qëllim që të mos tepronte asgjë e të shkonte kot. Darka përbëhej nga dy salcice të nxehta dhe çaji. Në emigracion Vladimir Ulianov pinte me kënaqësi birrën. Bile më tepër se kaq, ai shprehte me fjalë të zgjedhura dashurinë e vet ndaj birrës së Mynihut. Ndodhte që shpesh herë Lenini të merrte pako me ushqime nga atdheu. Në Paris të afërmit i dërgonin Leninit nga Rusia proshutë dhe sallam. Kurse në Austro-Hungari ishte i ndaluar dërgimi me postë i produkteve të mishit, prandaj të afërmit i postonin Leninit produkte deti - havjar, salmon, harengë dhe ëmbëlsira.

Në vitet e Luftës Civile Lenini, pasi u bë Kryetar i Qeverisë Sovjetike, filloi të ushqehet në mënyrë akoma dhe më modeste se në periudhën e emigracionit. Buka e zezë, harenga, çorba ishin racion i zakonshëm për të. Atij i vinte zor të hante produktet që i sillnin shokët nga provinca: miellin, sheqerin dhe gjalpin, dhe ai nxitonte t’ua shpërndante ato të sëmurëve në spitale ose shokëve të dobësuar nga të pangrënit. Maksim Gorki kujtonte, se si Lenini kritikonte cilësinë e ushqimit në mensën e Kremlinit, duke thënë, se për të gatuar atje duhej një kuzhinier i zoti. Gjatë kësaj Lenini citonte përsiatjet e një specialisti të higjienës së ushqimit mbi rolin e erëzave të shijshme. Kur shkrimtari e pyeti atë, se si arrin të mendojë ai, aq i zënë sa është me punë, edhe për të ushqyerit racional, Lenini vetëm me tonin e tij i dha të kuptojë atij se pyetja është krejtësisht pa vend, e parëndësishme. Pikërisht në fillim të viteve 1920 Lenini papritmas filloi të shfaqë interes të madh ndaj çështjeve që kishin të bënin me ushqimin, duke habitur pa masë me këtë bashkëkohësit e vet, të cilët e njihnin Prijësin e Revolucionit si njeri krejtësisht indiferent ndaj ushqimit.