Galeria e famshme moskovite Tretiakovskaja gjatë hapjes në tetor të ekspozitës së tabllove të piktorit peizazhist rus Isaak Levitan, kushtuar 150-vjetorit të ditëlindjes së mjeshtrit të penelit, e pa me vend të japë shpjegimet e duhura në lidhje me vonesën e vet. Sepse data jubilare i ra muajit gusht. Dhe shpjegimet e saj dolën mjaft bindëse: kryeveprat e piktorit me rastin e organizimit të ekspozitës iu nënshtruan një restaurimi skrupuloz. Rusia këtë vit kremton dy jubile 150-vjeçarë të përfaqësuesve të shquar të kulturës - shkrimtarit Anton Çehov dhe piktorit Isaak Levitan. Ata ishin jo vetëm moshatarë, por dhe shokë të mirë, njerëz jashtëzakonisht të afërt përkatësisht ideve krijuese, shpirtra binjakë, mund të thuhet. Motivet çehoviane në tabllotë e Levitanit, motivet levitaniane në veprat e Çehovit - këto janë tema klasike për hulumtuesit, janë impresionet më të përhapura tek njerëzit-ithtarë të artit. Të dy mjeshtrat, si askush tjetër, dinin të shprehnin brishtësinë dhe paqartësinë e ndjenjave të njeriut, tragjizmin dhe poezinë e jetës. “Në tabllotë e Levitanit nuk ka, në përgjithësi, gjendje të njëtrajtshme. Ato janë shumë të sofistikuara për nga përmbajtja, gjendjet që transmetojnë, të cilat pasqyrojnë shpirtin e njeriut,   marrëdhëniet e ndërsjellta të njeriut dhe natyrës. Duke u përgatitur për këtë ekspozitë ne iu lutëm restauratorëve ti vlerësojnë fillimisht pikturat e Levitanit, - tregoi në intervistën e vet dhënë për radiokompaninë “Zëri i Rusisë” Galina Çurak. - Sepse ato kërkojnë qendrim të ndryshëm gjatë punës restauruese, meqenëse lirshmëria e lehtë piktoreske e Levitanit shfaqet në mënyra mjaft diverse. “- Më shpesh ajo shfaqet në transparencën e penelatave. Por ka dhe tabllo që janë pikturuar me penelata shumë të trasha, të “spërdredhura”. Dhe ja pikërisht në këto lloj penelatash restauratorët duhej të ndërhynin në mënyrë shumë delikate me qëllim që të mos trondisnin asnjë mikron boje. Dhe unë mund të konstatoj me kënaqësi të madhe, se kur përfundoi restaurimi i tabllosë së famshme “Vjeshta e artë”, ne i përgëzuam sinqerisht restauratorët. Sepse tablloja që nga nga momenti i realizimit të saj nuk i ishte nënshtruar kurrë ndonjë restaurimi serioz. Si rezultat ajo shkëlqeu me të gjitha ngjyrat e mrekullueshme vjeshtore origjinale. Kjo është me të vërtetë “Vjeshta e artë”, një trium i mahnitshëm, impresionues i natyrës!”, - tha Galina Çurak. Sikur u ringjall, fitoi një jetë të dytë edhe një tjetër kryevepër e Levitanit - “Mbi qetësinë e përjetshme”.

 

“Mbi qetësinë e përjetshme”. Foto: RIA Lajmet

Pas restaurimit në tabllo u zbuluan fragmente të tëra të pikturës dhe doli se hapësira e pamatë ngjyrë plumbi-gri e qiellit dhe liqenit sikur ndodhet në lëvizje të vazhdueshme: fluturon me shpejtësi një re e ulët, nëpër ujin e argjenduar rendin valët e shkumbëzuara kreshtëbardha. Në ekspozitën jubilare në Galerinë Tretiakovskaja janë paraqitur 300 tabllo me bojëra vaji, grafika dhe pastele të Levitanit.