Çështja kryesore që shtrohet për diskutim në negociatat e kryetarëve të të dy shteteve është gazi turkmenistanas. Rusia deri në prill të vitit 2009 ka blerë rreth 70 miliardë metra kub gaz në vit. Në momentet aktuale vëllimi i importit nga Turkmenistani përbën 10 miliardë metra kub gaz në vit. Shkak për një reduktim të tillë të importit u bë sigurisht kriza ekonomike botërore, e cila solli në rënien e kërkesës për gaz në vendet e Europës Perëndimore. Por tani situata po ndryshon. Konsumi gradualisht po del në nivelin e parakrizës dhe në perspektivë do të vijë duke u rritur në mënyrë të ndjeshme. Rusia është e interesuar për pjesëmarrjen e Turkmenitanit në projekte të tilla si "Nord Stream ("Rryma Veriore") dhe "South Stream" ("Rryma Jugore"). Koncerni rus"Gazprom"ofron për gazin turkmenistanas çmimin më të lartë të blerjes, i cili tejkalon atë që propozojnë konsumatorët kinezë dhe iranianë. Por këto kohët e fundit në Ashhabad po shfaqin interesim të gjallë edhe ndaj pjesëmarrjes në projekte të tjera. Në veçanti, në Ashhabad po shqyrtojnë mundësinë e pjesëmarrjes në projektin "Nabocco", i cili lobohet aktivisht nga ithtarët e kufizimit të bashkëpunimit energjetik me Rusinë. Por për gazjellësin "Nabucco" është e nevojshme të ndërtohet një tubacion i tillë, një pjesë e mirë e të cilit do të duhet të shtrohet nëpër fundin e Detit Kaspik. Por moszgjidhja deri tani e statusit ligjor të detit Kaspik e bën realizimin e "Nabucco-s" me pjesëmarrjen e Turkmenistanit pak të besueshëm. Ekspertët, ndërkohë, mendojnë se për Rusinë dhe Turkmenistanin nuk do të ishte aspak e arsyeshme të dilnin në rolin e konkurrenteve. Shumë më e rëndësishme do të ishte për to të rregullonin partneritetin dypalësh dhe të koordinonin më rreptësisht përpjekjet e përbashkëta në tregun botëror të gazit.