Shkarko audiofailin


Cirku moskovit në Bulevardin Cvetnoi, një nga më të vjetrit në Rusi, kremton jubileun e vet. Historia e tij e merr fillesën e vet që 130 vjet më parë, kur për debutimin e kalorësit dhe gjimnastit Albert Sallamonskij u ndërtua një godinë e re cirku. Shfaqja e parë në të u dha më 20 tetor të vitit 1880. Po ashtu si gjithë cirqet e botës, edhe Cirku në Bulevardin Cvetnoi («Цветной бульвар») punonte sipas parimit të të ftuarit të artistëve që ndodheshin në vend me turne. Në arenën tij kanë debutuar të gjithë artistët e famshëm të asaj kohe: Williams Truzzi me kuajt e tij, akrobatët-kërcimtarë Sosini, kërcimtarja famoze Marta Sur, ekuilibristet e pakrahasueshme-motrat Koh. Por dashurinë e pamatë të publikut, që e ka veçuar, zgjedhur këtë cirk midis gjithë të tjerëve, ia sollën atij kllounët. Një ndër të parët ishte Vladimir Durov, kllouni-stërvitës kafshësh, i cili e pagëzoi veten me emrin "mbreti i gaztorëve (hokatarëve)". Të talentuarit e qilimit (kovernie), kështu i quanin kllounët në kohërat e moçme, kanë punuar gjithmonë në këtë cirk dhe publiku vinte posaçërisht për ti parë ata, tregon njëra nga admirueset e Cirkut të Moskës, e cila erdhi atje për herë të parë 60 vjet të shkuara. "- Në këtë cirk unë erdha për herë të parë me babanë tim , i cili  adhuronte kllounin Oleg Popov. Ai e quante atë artist gjenial. Babai ishte njeri shumë gazmor e hokatar dhe para se të niseshim për atje më tha me ngazëllim: "Ne tani do të shkojmë në cirk dhe do të qeshim gjithë mbrëmjen atje". Unë mbaj mend, megjithëse isha ende vajzë e vogël, se e ndjeja me të gjitha fibrat e shpirtit gjenialitetin e veçantë të Oleg Popovit. Ndërsa cirku i kafshëve më frikësonte paksa. Mua më vinte gjithmonë keq për kafshët dhe në lidhje me këtë sjell ndër mend një episod, i cili ndodhi tashmë më vonë me tim bir. Ne e çuam atë në cirk dhe ai ndiqte gjithçka që ndodhte në arenë me vemendje tejet të përqenduar, por kur elefantin filluan ta detyrojnë të bëjë disa ushtrime të vështira dhe ai nisi të kundërshtonte në mënyrën e vet e të mos bindej, im bir befas bërtiti me zë të lartë në gjithë sallën: "Lereni atë të qetë, ai nuk do ti bëjë ato ushtrime!". Këtë frazë fëmija e përsëriti me dëshpërim disa herë dhe gjithë njerëzit që ndodheshin rreth e rrotull nesh filluan të duartrokisnin, kurse disa të tjerë i përsëritën fjalët e tij: "Ai nuk do, ai nuk do!". Dhe vemendja sikur u shpërqendrua disi nga elefanti", - kujton ajo. "E ç'cirk është ai kur publiku qesh pak në të?", - preferonte të përsëriste shpesh themeluesi i Cirkut moskovit në Bulevardin Cvetnoi Albert Sallamonskij. Në këtë cirk publiku gjithmonë qeshte me gjithë shpirt dhe "ylli" më i ndritshëm i tij u bë kllouni i famshëm, artisti, kurse më pas edhe Drejtori i Cirkut moskovit në Bulevardin Cvetnoi Jurij Nikulin. Shumë reprise të tij publiku i citonte përmendësh duke shkuar sërish e sërish në cirk që të kishte mundësi ta shikonte atë në arenë. Aktualisht Cirku mban emrin e tij. Ai quhet Cirku moskovit i Nikulinit në Bulevardin Cvetnoi.