Plani 4-vjeçar i bashkëpunimit u miratua nga Moska dhe Karakasi. Ndërsa gjithsej, sipas rezultateve të negociatave të presidentëve të Rusisë dhe Venezuelës, përkatësisht, Dimitri Medvediev dhe Hugo Chávez, u nënshkruan 10 dokumente. Një nga më kryesoret u bë marrëveshja mbi zhvillimin e energjetikës atomike. Rusia do të ndërtojë dhe do të vërë në shfrytëzim një elektrostacion atomik në territorin e këtij vendi latinoamerikan. Dimitri Medvediev është mëse i bindur se Rusia, si një ndër lideret botërore në energjetikën atomike, mund ti shfrytëzojë avantazhet e veta konkurruese për ndërtimin e elektrostacioneve atomike në Venezuelë. Sipas mendimit të Liderit rus, diversifikimi i energjetikës është jashtëzakonisht i rëndësishëm, veçanërisht në rast të rënies së çmimeve të lëndëve hidrokarbure. Në përputhje me marrëveshjen në fjalë, korporata shtetërore ruse "Rosatom" do të ndërtojë dhe do të vërë në shfrytëzim elektrostacionin atomik prej dy blloqesh me kapacitet 2400 megawatt. Përveç kësaj, në Venezuelë do të ndërtohet reaktori studimor për përftimin e izotopeve që kanë gjetur përdorim të gjerë në mjekësi, në bujqësi dhe degë të tjera të ekonomisë. Bashkëpunimi midis dy vendeve drejtohet për zhvillimin e ekonomive partnere dhe nuk përbën rrezik për askënd, theksoi Kryetari i shtetir rus Dimitri Medvediev. "- Sapo u nënshkrua marrëveshja për bashkëpunimin në sferën atomike. Unë nuk e di se kush do të drithet nga kjo. Presidenti Hugo Chávez tha se do të ketë edhe shtete të cilave kjo gjë do tu shkaktojë emocione të ndryshme. Nuk do të dëshiroja të theksoja në mënyrë të posaçme atë fakt se synimet tona janë krejtësisht të hapura e të pastra. Ne duam që partnerja jonë - Republika Bolivariane e Venezuelës të zotëronte gjithë kompletin e mundësive energjetike, të gëzonte pavarësi energjetike dhe të kishte mekanizmat e brendshëm për zhvillim të mëtejshëm", tha Dimitri Medvediev. Projektet e përbashkëta të Moskës dhe Karakasit përfshijnë praktikisht të gjitha sferat e ekonomisë kombëtare. Specialistët e të dyja vendeve do të bashkëpunojnë në projektimin dhe ndërtimin e platformave të shpimit për nxjerrjen e naftës dhe gazit nga thellësitë e mëdha. Kurse Shoqëria e Hapur Aksionere "AvtoVaz" ka ndërmend të organizojë prodhimin e automobilave të markës "Lada" në Venezuelë. Do të vazhdojë bashkëpunimi edhe në sferën tekniko-ushtarake. Dhe të gjitha këto nuk janë megjithatë lista e plotë e fushave të bashkëveprimit të të dyja vendeve. Siç vunë në dukje në konferencën përfundimtare mbajtur për shtyp të dy presidentët, niveli i marrëdhënieve të ndërsjellta të Moskës dhe Karakasit flet për rolin në rritje të Rusisë në Amerikën Latine. Siç u shpreh Hugo Chávez, Amerika Latine po ripërtëritet ashtu siç u ripërtëri Rusia para pak kohësh. Të dyja vendet duhet të bashkojnë përpjekjet me qëllim që të ndihmojnë njëri-tjetrin në ndërtimin e një bote të re shumëpolare.