Në vendet e BE nëpërmjet Ballkanit çdo vit depërtojnë deri në 100 tonë heroinë. Shifra të tilla përmendi Kreu i misionit të BE në Serbi Vincent Degert. Kurse Ministri i punëve të brendshme të Serbisë Ivica Daçiç, gjatë fjalës së marrë në Soçi në takimin ndërkombëtar të përfaqësuesve të Këshillit të Sigurimit të 44 shteteve, njoftoi se "70-80% e heroinës që vjen në Evropën Perëndimore nga Afganistani kalon nëpërmjet vendeve ballkanike dhe se në këtë tranzit janë të implikuara, para së gjithash, strukturat kriminale ballkanike". Temën në fjalë e shtjellon më tej vëzhguesi i "Zërit të Rusisë" Pjotër Iskenderov. Situata aktuale me të vërtetë dramatike për BE lindi jo ashtu krejt rastësisht, në terren të shkretë. Sepse gjeografia e itinerarëve të transportimit të drogës dhe shfaqjeve të tjera të veprimtarisë kriminale ndërkombëtare përkon me një gjeografi tjetër - me hartën e konflikteve rajonale. Ndërsa kjo tashmë është rrjedhojë e drejtpërdrejtë jo thjesht e mangësive të punës, por e mbylljes së syve nga ana e BE, NATO-s dhe strukturave të tjera perëndimore që në periudhën e viteve 1980-1990, të cilat personalisht ia hynë punës për riorganizimin e rajonit të ish Jugosllavisë dhe dhe Shqipërisë fqinje me të. Apogje i kësaj veprimtarie u bë projektimi i shtetit të vetëshpallur të Kosovës. "Ne flasim shpesh herë me shërbimet evropiane dhe amerikane dhe ato e dinë për mrekulli se në Kosovë kanë ngritur fole shumë grupe kriminale, të cilat merren me trafikim ilegal droge, para së gjithash heroine", - dëshmon Ivica Daçiç. Por e ditura nuk është identike me veprimin dhe Perëndimi vazhdon të ruajë marrëveshjen e heshtur në sferën politike dhe financiare me separatistët shqiptarë kosovarë duke demonstruar sërish e sërish "standartet e dyfishta" në qendrimin e vet ndaj rreziqeve kërcënuese globale. Ndërsa ky dhe është pikërisht ai terren i përshtatshëm, frytëdhënës në të cilin ngrenë krye filizat e veprimtarisë kriminale. Një veprimtari e tillë jo vetëm që nuk njeh kurrfarë kufijsh ekzistues shtetërorë, por dhe shfrytëzon aktivisht problemet e parregulluara ballkanike  të tilla si ai kosovar, maqedonas, boshnjak e shumë të tjerë, - vuri në dukje në bisedën e zhvilluar me radiokompaninë "Zëri i Rusisë" ekspertja e Qendrës për studimin e krizës bashkëkohore ballkanike të Institutit të Sllavistikës të Akademisë së Shkencave të Rusisë Anna Filimonova. "- Në hapësirën e ish Jugosllavisë, veçanërisht në Kosovë, ku tani është krijuar pseudoshteti "Republika e Kosovës", në fakt, aktualisht vepron trekëndëshi i prodhimit të drogës dhe trafikimit të saj me itinerar "Tiranë-Prishtinë-Shkup". Vëllimet e trafikimit të drogës janë thjesht monstruoze. Narkotrafiku që realizohet nëpërmjet territorit të Kosovës përbën rreth 5 tonë në muaj", - dëshmon ekspertja Anna Filimonova. Destabiliteti rajonal, narkobiznesi dhe terrorizmi ndërkombëtar janë hallka të një zinxhiri të lidhura fort me njëra-tjetrën. Dhe në qoftë se shërbimet speciale të BE dhe SHBA pranojnë me gojën e vet ekzistencën e problemeve në Ballkan, ato nuk duhet të habiten aspak nga fakti se rreziku kërcënues terrorist po troket tashmë jo vetëm në shtëpitë e Ballkanit, por edhe në shtëpitë evropianoperëndimore dhe ato amerikane.