Në qoftë se do ti besohet legjendës, atëhere ajo thotë se gjatë kohës së luftës për pavarësi në Amerikë një agjent britanik u përpoq të helmonte gjeneralin Xhorxh Uashington (George Washington) me një gjellë të përgatitur me domate, të cilat asaj kohe quheshin si helmuese. Luftëtari i paepur për pavarësinë e shteteve amerikanoveriore e hëngri këtë gatim me kënaqësi të madhe pa kurrfarë pasojash të dëmshme për veten. Po a është e vërtetë vallë historia që ka të bëjë me tentativën e helmimit të Xhorxh Uashingtonit me domate gjoja helmuese? Ky fakt është si tepër i dyshimtë, por kjo është një legjendë dhe prandaj ka të drejtë të plotë për ekzistencë.

Xhorxh Uashingtonit i pëlqenin shumë frutat, veçanërisht arrat. Thonë se ai i prishi tmerrësisht keq dhëmbët duke thyer arrat me to. Biografët dëshmojnë edhe për atë, se Presidenti i parë i Amerikës kishte shumë qejf vishnjet dhe qershitë. Në Amerikë edhe sot e kësaj dite vishnja asociohet me "Babanë e kombit" dhe amerikanët, të cilët e adhurojnë figurën e tij, në ditëlindjen e  Xhorxh Uashingtonit më 22 shkurt gatuajnë kulaç me vishnje.

Xhorxh Uashingtoni preferonte kuzhinën e thjeshtë, hante me kënaqësi çdo gjë që i servirej në tavolinë dhe nuk ishte aspak nazeli në të ngrënë, por në mënyrë të veçante i pëlqente peshku megjithatë. Çifligu Mount Vernon ku jetonte ai i siguronte plotësisht njerëzit që banonin në të me produkte ushqimore. Në këtë çiflig kishte kopshte me dru frutorë, ferma, plantacione, bagëti, vende të posaçme për tymosjen e mishit, peshkut.

Amerikanët, të cilët e quajnë (barbecue) mishin e pjekur në skarë (prush) si një nga arritjet e kuzhinës së tyre nacionale, thonë se Xhorxh Uashingtoni gjithashtu kishte dobësi të madhe për të. Që para se të bëhej president ai pat shënuar dy herë në ditarin e tij se kishte shkuar për (barbecue) mish të pjekur. Barbecue që pat ngrënë Xhorxh Uashingtoni në shekullin e XVIII-të ndoshta ka qenë po e tillë siç e gatuajnë atë edhe sot e kësaj dite në bregdetin juglidor të Shteteve të Bashkuara: derrin e therur e ndajnë copa-copa, i heqin të brendshmet dhe e pjekin në prush për 12 orë.

"Mënyra e jetesës sime është shumë e thjeshtë, - thoshte pas përfundimit të Revolucionit Amerikan vetë Xhorxh Uashingtoni. - Unë i gëzohem gjithmonë një gote me verë dhe një cope mishi të pjekur qengji".

Uashingtoni nuk kujdesej fort për shijen e hollë, sqimën e tryezës së vet, por mysafirëve u servirte gatime të shumëllojshme, të mrekullueshme e fort të rafinuara: supa të ndryshme, rosto viçi, mish viçi, gjel deti, rosa, mish shpendësh të egra, proshutë, puding, pelte, portokalle, mollë, bajame, arra, fiq, verëra të ndryshme dhe ponç.

0Çdo herë kur presidentët e SHBA hyjnë zyrtarisht në detyrë organizohet darka e inagurimit. E tillë është tradita, por në fillim gjithçka ishte shumë më modeste. Pasi u bë President i SHBA Xhorxh Uashingtoni detyrohej të darkonte në vetmi: bashkëshortja e tij Marta nuk kishte ardhur akoma në çifligun Mount Vernon. Tradita për ta kremtuar në mënyrë të madhërishme, me pompozitet inagurimin presidencial u krijua më vonë, në fillim të shekullit të XIX-të gjatë drejtimit të Presidentit Xhejms Medison (James Madison).