Siguria e Olimpiadës së pritshme Dimërore të vitit 2014 në Sochi bazohet jo vetëm mbi potencialin e shërbimeve speciale ruse, por edhe mbi eksperiencën e pasur të vendeve të huaja, që i dorëzuan Rusisë materialet përkatëse. Për këtë deklaroi Serkretari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë Nikollai Patrushev pas përfundimit të takimit të përfaqësuesve të OKB-së dhe Këshillit të Sigurimit nga dhjetra vende të ndryshme të botës, që u zhvillua në Sochi. Sipas fjalëve të Kreut të Këshillit rus të Sigurimit, vendet, ku janë zhvilluar olimpiadat, kanë përgjithësuar gjithë eksperiencën ekzistuese dhe tashkmë ia kanë dorëzuar palës ruse. Problemi i garantimit të sigurimit të Lojrave Olimpike ka marrë karakter kritik gjatë Olimpiadës së vitit 1972 në Mynih. Atëherë anëtarët e organizatës ekstremiste palestineze "Shtatori i zi" vranë 11 anëtarë të skuadrës përfaqësuese të Izraelit dhe të policisë gjermane. Përpjekjet për të kryer sulme terroriste në vende të ndryshme të botës gjatë periudhës së aktiviteteve të gjera sportive ka patur edhe më vonë. Por falë forcimit të strukturave policore dhe kujdesit të qytetarëve të thjeshtë puna nuk ka shkuar deri në tragjedi të mëdha. Çështjet e garantimit të sigurisë për Olimpiadën Dimërore-2014 ishin objekt diskutimi në takimin e përfaqësuesve të Këshillit të Sigurimit nga 44 vendeve të ndryshme të botës dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Shërbimet speciale, kuptohet, nuk përjashtojnë mundësinë e përpjekjeve të ndërmarrjes së sulmeve në Sochi, vë në dukje anëtari i Komitetit për sigurimin i Dumës Shtetërore Aleksandër Gurov: "Nuk duhet të përjashtohet probabiliteti, por ai mund të minimalizohet në maksimum, gjë që po bëhet nga shërbimet speciale pasi u shpall, se në Sochi do të zhvillohet Olimpiada. Në qoftë se për këtë nuk shkruhet dhe nuk flitet, kjo nuk do të thotë, se askush nuk punon. Shërbimet speciale ka kohë që po punojnë në këtë drejtim. Po blihet teknikë speciale, po zhvillohet punë operative dhe zbuluese. Ndërkaq ajo po zhvillohet jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë kufijve. Në të marrin pjesë sipas marrëveshjeve të bëra më parë edhe shërbimet e huaja speciale. Në veçanti, ata ndihmojnë për dorëzimin e informacionit mbi terroristët ndërkombëtarë", u shpreh Aleksandër Gurov. Sulmet e fundit terroriste në Rusi patën lidhje pikërisht me aktivitetin e terroristëve ndërkombëtarë, ndër të tjera ata që bëjnë pjesë në "Al-Kaeda". Prandaj koordinimi i përpjkjeve të shërbimeve speciale të vendeve të ndryshme në këtë drejtim do të jetë detyrë prioritare.