Zëri i Rusisë  

Këshilli i Sigurimit të OKB-së e pa të arsyeshme ti rikthehet shqyrtimit të problemit që ka të bëjë me terrorizmin ndërkombëtar. Deri tani nuk ekziston as ndonjë përcaktim universal dhe bile as një perceptim i përgjithshëm për të gjitha vendet në lidhje me atë se ç'është terrorizmi, veçanërisht ai ndërkombëtar. Me këtë term në OKB gjithmonë ka patur vështirësi. Në vitet e luftës së ftohtë, kur bota ishte e ndarë në dy kampe, çdonjëri nga ata e shihte problemin për nga pikëpamja e pozita e ideologjisë së vet dhe interesave të veta gjeopolitike. Në këtë mënyrë të njëjtët persona mund të quheshin terroristë në Perëndim dhe luftëtarë të lirisë sipas mendimit të kampit komunist. Por ndodhte dhe e kundërta. Me mbarimin e luftës së ftohtë nuk u shtua uniteti i mendimit në lidhje me termin në fjalë. Pas 11 shtatorit të vitit 2001 Amerika me habi të madhe konstatoi dhe u bind se jo të gjithëve ajo u dhimbset, se jo të gjithë e simpatizojnë atë. Në Rusi, e cila përjetoi hedhjet në erë të shtëpive të banimit dhe akte të tjera terrori nga ana e guerrilasve çeçenë, u ndie një keqardhje, dhimbje e sinqertë, përjetim në shoqërinë ruse, tufa lulesh të sjella nga qytetarët pranë Ambasadës së SHBA. Kurse, për shembull, në territoret palestineze pati ngazëllim masiv, dhe duhet thënë të sinqertë mbarëpopullor në lidhje me këtë. Ja se ç'thotë Kryeredaktori i revistës «Россия в глобальной политики» ("Rusia në politikën globale") Fjodor Llukjanov: "Akte terroriste të përmasave të tilla nuk ka patur kurrë ndonjëherë deri tani. Dhe, sigurisht, kjo ndikoi në mënyrë shumë të ndjeshme në perceptimin e veprimtarisë terroriste dhe synimin e shteteve të mëdha, para së gjithsh SHBA, për të luftuar kundër kësaj së keqeje. Forcat, mjetet, rezervat njerëzore dhe intelektuale, të cilat pas 11 shtatorit u hodhën në luftën kundër shfaqjeve terroriste, sigurisht nuk kanë precedent në botë. Por në të njëjtën kohë nuk mund të thuhet se falë kësaj u arritën fitore të qenësishme mbi terrorizmin ndërkombëtar. Në botë rreziku kërcënues terrorist nuk u minimizua. Ato luftra që filluan pas 11 shtatorit të 2001 në Irak dhe Afganistan nuk sollën në reduktimin e rrezikut kërcënues terrorist. Më tepër ndodhi efekti i kundërt. Këto luftra po e shtojnë atë. Përveç kësaj, pas 11 shtatorit Perëndimi ndërmorri përpjekje të mëdha me qëllim që të kuptuarit e tij të nocionit terrorizëm të bëhej universal. Por ky plan i Perëndimit nuk gjeti realizim në jetë, mendon Fjodor Llukjanov. "Aktualisht po bëhet krejtësisht e qartë, se është e pamundur të ndërtohet i gjithë sistemi ndërkombëtar mbi bazë të qendrimit ndaj terrorizmit ndërkombëtar. Kjo është e pamundur të bëhet bosht i marrëdhënieve ndërkombëtare", konkludon Fjodor Llukjanov. Doli në të vërtetë se bota nuk është ende e gatshme të bashkohet në një koalicion unik antiterrorist ndërkombëtar. Dhe se standartet e vendeve të ndryshme tani për tani janë akoma shumë diverse. Ndoshta për këtë arsye përfaqësuesit e guerrilasve çeçenë, të cilët kanë kryer aktet terroriste makabre në Rusi, marrin strehim politik në Britaninë e Madhe.