Zëri i Rusisë  

Filmi «Край» ("Kraj" - "Vendlindja" i regjizorit Aleksei Uçitel u paraqit për çmimin "Oskar" në kategorinë "Filmi më i mirë në gjuhë të huaj". Në këtë film janë prezente shumë gjëra nga ato që hyjnë në stereotipin e krijuar në botë përkatësisht imazhit të Rusisë: tajga dhe ariu, rakia e shtëpisë dhe banja me avull e grave, bashkëpunëtori i sigurimit të shtetit me revolver në brez... Publikut do ti jepet mundësia të shikojë me siguri garat me lokomotivat e vjetra me avull. "Makinat e vërteta të fillimit të shekullit arrijnë shpejtësi të papara", - shprehet me entuziazëm dhe emocion Aleksei Uçitel. Lokomotivat tona me avull debutojnë gjithashtu edhe si aktore të shkëlqyera. Ato janë tamam si qenie të gjalla. Herë-herë fishkëllejnë me zemërim, lëshojnë avull me vërtik, nxehen fort, ngandonjëherë janë të buta, të paqme ose kaq zemërake saqë dalin nga shinat gjatë xhirimeve. Kur po xhironim kuadrin e fundit një lokomotivë e shumë e madhe mori tatëpjetën duke hedhur andej-këtej me vrull gjatë rrugës së vet aparaturat e ndriçimit. Me sa duket u lodh shumë... Lokomotivat, sigurisht, që krijojnë efektin e përmasave të gjera të punës regjizoriale dhe janë mjaft spektakolare. Por filmi nuk u kushtohet atyre. Ai paraqet në vetvete një histori shumë të sofistikuar nga ana psikologjike dhe në të janë prezente jo një, por disa kolizione, ngjarje mjaft interesante. Ngjarjet e filmit zhvillohen në vitin 1945. Heroi kryesor - makinisti Ignat fort i apasionuar pas lokomotivave - kthehet nga lufta në fshatin siberian, vendlindjen e vet, të quajtur Край (Kraj-vendlindje, vend, krahinë). Shumicën e banorëve të tij e përbëjnë personat e internuar, të syrgjynosur. Këta janë ose njerëz të zënë robër më parë prej fashistëve, ose të ndodhur në territoret e okupuara prej gjermanëve. I vetmi që e ndjen veten fitimtar në këtë fshat është Ignati, i cili duke kaluar përmes shtigjeve e shqotave të luftës arriti deri në Berlin. Banorët e Край (Kraj-it) sillen ndaj tij me antipati, armiqësi të fshehur, kurse vetë heroi kryesor i përbuz të gjithë ata që provuan robërinë e gjermanëve. Bile edhe gruan që dashuroi ai e quan trofe lufte të vetën. Dhe vdekja tragjike e saj nga duart e bashkëpunëtorit të НКВД-së (NKVD-Komisariati Popullor i Punëve të Brendshme) përmbys shumë gjëra në vetëdijen e njerëzve, fshin kufirin ndarës midis "tanëve" dhe të "huajve". Dhe vetëm vajza gjermane, e cila jetonte vetmitare në pyll dhe që nuk e dinte bile as se po zhvillohej luftë, bëhet njeriu më i afërt për Ignatin. Mos vallë duhet të ndodhë patjetër ndonjë fatkeqësi që njerëzit të bashkohen? Dhe si të mësohet të jetohet pa armiqësi? - këto pyetje shtron me mjete artistike në filmin e vet regjizori Aleksei Uçitel. Në një nga intervistat e veta ai vuri në dukje si vijon: "Për herë të parë xhirova një film që mua më duket se do ti prekë të gjithë dhe se do të jetë interesant për shikuesit nga 5 vjeç e deri në moshë fort të thyer. Dhe në qoftë se gjatë shikimit ata do të derdhin lot, do të qeshin e do të provojnë emocione të tjera të forta, unë do të jem shumë i lumtur".