Periudha e mbretërimit të Perandoreshës Ekaterina e Dytë në historinë e Rusisë u shënua nga shkëlqimi i aristokratëve që rivalizonin me njëri tjetrin në luks. Pallate luksoze, veshje luksoze, ballo luksoze e dreka të papara luksoze... Kurse vetë Perandoresha Ekaterina e Dytë dallohej për shije tejet modeste, ishte njeri pa pretendime.

Një filxhan kafe pa sheqer sapo ngrihej i zëvendësonte Perandoreshës mëngjesin. Kafen Ekaterina e pinte shumë të fortë e me kajmak të trashë qumështi. "Në Evropë kafja quhej pije "burrash", - shkruan historiania Olga Elisejeva. - Duke përdorur kafen Ekaterina me këtë sikur deklaronte mbi të drejtën e vet për të provuar kënaqësinë e cila i privohej seksit femër. Duke theksuar me këtë se jo vetëm në fronin mbretëror, por edhe në jetën e përditshme ajo mund të sillet si përfaqësuese e gjysmës më të fortë të njerëzimit".

Edhe gjatë të ngrënit të drekës Ekaterina e Dytë ishte mjaft e përmbajtur, me shumë kufizime. Provonte nga pak 3-4 gjellë. Preferonte ushqimin më të thjeshtë:  supën e quajtur Shi (supë me lakër turshi, arme), mish lope të zier me një kastravec turshi, çobë hikrre. Pëlqente shumë ajo gjellët e yndyrshme, mishin me dhjamë. Pas buke asaj i servirnin mollë dhe vishnje. Tregojnë, se Grigori Potjomkin çdo janar i dërgonte Ekaterinës një shportë me vishje me një çmim fantastik prej 10 mijë rublash.

Preferonte të pinte ajo pelte (xhelatinë) me rrush serezi (ribes) të tretur në ujë. Thonë, se deri në një periudhë të caktuar ajo nuk pat pirë kurrfarë vere, por më vonë me rekomandimin e mjekut të saj personal Roxherson pinte vazhdimisht çdo mëngjes një gotë verë Madeira. Në mbrëmje Perandoresha pinte vetëm ujë të ftohtë me copa akulli dhe disa pika lëngu frutash bimësh të vogla kaçubore.

Perandoresha kishte tendencë për të fituar peshë të tepërt trupore dhe prandaj përpiqej ta kufizonte veten në të ngrënë. Mjeku i saj personal mendonte se gjellët ruse të shoqëruara me bukë të zezë janë më të dobishme dhe më të mira për ruajtjen e shëndetit, veçanërisht në qoftë se njeriu bën më tepër një jetë pak të palëvizshme. Perandoresha dy herë në javë mbante kreshmë. Gjatë këtyre ditëve asaj i servireshin në tavolinë çorbë drithërash, peshk i zier, perime e fruta.

Rreth tryezës së drekës apo darkës të Ekaterinës gjithmonë mblidheshin 8-9 persona. Midis tyre ishin edhe favoritët e saj, edhe mysafirë të ftuar. Atmosfera që mbretëronte në tavolinë ishte e çliruar nga ceremonialiteti. Të gjithë silleshin thjeshtë, natyrshëm, komunikonin lirisht, debatonin me Perandoreshën, diskutonin të rejat evropiane. Në fakt, duhet thënë, se gjatë bisedave që bëheshin rreth tavolinës kishte edhe tema të ndaluara, tabu: për shembull, Ekaterina e Madhe nuk lejonte askënd të fliste keq për Pjetrin e Parë ose për Mbretin francez Ludovikun e XIV.

Gjellë të huaja gatuheshin në pallatin perandorak vetëm për mysafirë fort të nderuar ose miqtë e afërt. "Meqenëse Perandoresha nuk ishte aspak qeflie të ngrënash, - shkruan autorja e biografisë së Ekaterinës së Madhe Isabel de Madariaga, - si rrjedhojë edhe dreka e saj ishte paraprakisht e keqe". Kur mbretëresha në darkë shkonte për të fjetur, mysafirët e saj shpërndaheshin me shpejtësi në kërkim të ndonjë tryeze të shtruar më bujarisht e prej kuzhinierësh më të mirë se sa të Ekaterinës.

0Midis gjellbërësve të Ekaterinës ishte edhe një tip, i cili shërbente që prej kohësh në pallatin perandorak, që nuk shquhej për zotërim të shkëlqyer të artit të të gatuarit. Por Ekaterinës i vinte keq ta dëbonte nga puna atë dhe kur vinte radha e tij për të gatuar Perandoresha në mënyrë filozofike me psherëtimë thoshte: "Tani ne jemi me dietë, duhet të bëjmë durim. Kurse pas kësaj do të hamë me qejf gjëra të mira". Toleranca e Perandoreshës shfaqej edhe në reagimin ndaj vjedhjeve të vogla të shërbyesve të pallatit. Njëherë ajo pa se si shërbyesit po nxirrnin me pjatanca nga pallati mbretëror pjeshkë, ananasë dhe rrush. Pasi u mënjanua pak që të mos përplasej me ta Ekaterina vetëm sa i tha suitës së vet shoqëruese: "Të paktën enët të mi linin në pallat".